Transmetuar më 23-01-2020, 10:24

Kryedemokrati Lulzim Basha përshëndet vendimin e marrë nga Komiteti i Monitorimit të Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Europës për ta çuar paketën e ashtuquajtur “anti-shpifje” në Komisionin e Venecias.

Ai deklaron se ky akt provon se dy projekligjet e kësaj pakete cenojnë drejtpërdrejtë të drejtën e fjalës dhe drejtën e informimit duke dëmtuar rëndë lirinë e mediave në Shqipëri.

“Nga ana tjetër është e turpshme dhe e ulët që Komisioni i Veprimtarisë Prodhuese i parlamentit kukull nën urdhrat e Ramës, ka rrëzuar dekretin e Presidentit pa reflektuar jo vetëm mbi verejtjet e tij, por edhe ato të komunitetit shqiptar të mediave dhe organizatave të ndryshme ndërkombëtare”, shkruan Basha.

Ai shton se pushteti aktual qendroi i shurdhër edhe ndaj qëndrimeve të Komisionit Europian që tregonin se mosreflektimi për këtë paketë dëmton procesin e integrimit europian.

Për kryedemokratin, kjo indiferencë e kokëfortësi demonstron se Ramës nuk i intereson integrimi europian i vendit por vetëm mbijetesa e tij politike me çdo kusht, përfshirë këtu përpjekjen për t’ua mbyllur gojën mediave.

“Mos na prek fjalën”, thotë në mbyllje Lulzim Basha. /a.y/noa.al

“Anti-shpifja” përfundon në Komisionin e Venecias, shqyrtohet në mars