Transmetuar më 23-01-2020, 09:52

Një djalë i ri 29 vjeç me origjinë nga Dibra, është shpallur në kërkim, i dyshuar për krimin e ndodhur mbrëmjen e 20 janarit në zonën e “Astirit”, ku u vra 28-vjeçari Vilson Tafçiu.

I shpalluri në kërkim është Noel Dishi i cili rezulton dhe me dy emra të tjerë.

Nga hetimet e kryera rezulton se dy të rinjtë ishin shokë me njëri tjetrin madje dhe kishin qëndruar bashkë në Francë dhe Belgjikë.

Policia tha se dyshohet se ngjarja ka ndodhur për shkak të konflikteve të çastit, ndërkohë që dyshohet se gjithçka ka ndodhur për shkak të prishjes së pazareve të drogës.

Kjo për shkak se viktima pikërisht pasi ishte kapur me lëndë narkotike, ishte arrestuar në Francë dhe më tej ishte deportuar në Shqipëri dhe më tej kishte shkuar në Belgjikë.

Autori i dyshuar, të cilit policia i është vënë pas është Noel Dishi nga Dibra e banues në Sukth, i cili ka pasur edhe dy emra të tjerë.

Policia tha zyrtarisht se bazuar në veprimet e kryera dhe provat e grumbulluara rezulton se si pasojë e një konflikti të çastit,  Noel Dishi, alias N. K., alias M.P., 29 vjeç, në orën 20:30 të mbrëmjes së datës 20 janar, në rrugën “Dhaskal Todri”, në Unazën e Re, ka qëlluar disa herë me armë zjarri duke vrarë shtetasin Vilson Tafçiu.

Policia e Tiranës ka shpallur në kërkim 29-vjeçarin dhe ushtruar një sërë kontrollesh në disa ambiente dhe terrrene, ku dyshohej se mund të fshihej 29-vjeçari teksa vijon punën për kapjen e tij.

Më herët policia ka marrë në pyetje familjarët e autorit të dyshuar në Sukth të cilët kanë thënë se Vilsonin e njihnin si shok të djalit dhe se shkonte shpesh në shtëpinë e tyre.

Po kështu duke iu referuar burimeve nga grupi hetimor bëhet me dije se familjarët kanë deklaruar se prej më shumë se 2 javësh mes Vilson Tafçiut dhe Noel Dishit ka ndodhur një zënkë që ka prishur miqësinë por motivin e saj nuk e dinë. Prindërit kanë pohuar se me të birin nuk janë takuar që një ditë para se të ndodhte vrasja. /a.y/noa.al