Transmetuar më 22-01-2020, 14:21

Komisioni parlamentar i Sigurisë Kombëtare miratoi ditën e sotme vendimin e qeverisë për amnistinë.

Mirëpo miratimi u bë me dy ndryshime, ku përjashtohen atë që janë dënuar për vjedhje si dhe të përfitojnë ata që janë dënuar për ndërtim pa leje.

Në fjalën e saj gjatë mbledhjes, ministrja e drejtësisë Etilda Gjonaj, tha se ka një problematikë që nga amnistitë e mëparshme, pasi janë përfshirë të gjitha kategoritë pa vënë kriter ndalues dhe duke u krijuar mundësi përfitimi atyre me rrezikshmëri të lartë.

“Dhe nëse sot gjykata ka njohje të amnistinë për ata të dënuar me burgim të përjetshëm, ata kanë përfituar nga amnistitë e mëparshme. Kategoritë e caktuara nuk kanë pasur ndalesë duke u ulur dënimin 1, 1.5 apo dy vite nga dënimi i tyre. Burgjet kanë një sërë problematikash. Problematika e burgjeve nuk vjen sot ka qenë që në fillim. KÇK-ja nuk është në qeveri ne po luftojmë të gjithë ata që shkelin ligjet. Amnistia nuk ka qellim uljen e mbipopullimit në burgje”, u shpreh ministrja.

Kush përfiton nga amnistia

-Amnistohen personat e dënuar meshkuj me vendim gjyqësor të formës së prerë, me burgim deri në 2 vjet ose çdo lloj dënimi tjetër më të butë, duke përfshirë gjobën, pezullimin e dënimit me burgim ose çdo lloj dënimi tjetër alternativ, për dënime të dhëna,deri në datën 30.09.2019, pavarësisht nga koha e mbetur nga dënimi.

– Amnistohen personat e dënuar femra dhe të mitur me vendim gjyqësor të formës së prerë, me burgim deri në 3 vjet ose çdo lloj dënimi tjetër më të butë, duke përfshirë gjobën, pezullimin e dënimit me burgim ose çdo lloj dënimi tjetër alternativ, për dënime të dhëna deri në datën 30.09.2019, pavarësisht nga koha e mbetur nga dënimi.

– Amnistohen personat e dënuar meshkuj me burgim, të cilëve, deri në datën e hyrjes në fuqi të këtij ligji, u kanë mbetur pa vuajtur nga ky dënim deri në 2 vjet.

– Amnistohen personat femra dhe të mitur të dënuar me burgim, të cilëve, deri në datën e hyrjes në fuqi të këtij ligji, u kanë mbetur pa vuajtur nga ky dënim deri në 3 vjet.

– Amnistohen personat e dënuar femra, që, në datën e hyrjes në fuqi të këtij ligji, janë baras ose mbi moshën 50 vjeç.

– Amnistohen personat e dënuar meshkuj, që, në datën e hyrjes në fuqi të këtij ligji, janë baras ose mbi moshën 60 vjeç.

– Amnistohen personat e dënuar me burgim, të cilët, në kohën e kryerjes së veprës penale, kanë qenë baras ose nën moshën 18 vjeç.

– Të gjithë të dënuarve femra dhe të mitur që nuk plotësojnë kriteret për të përfituar amnisti, sipas paragrafëve 2, 4, 5 dhe 7 të këtij neni, u zbritet 1/3 e dënimit të mbetur, pavarësisht kritereve ndaluese të parashikuara në nenin 4, të këtij ligji. Nuk përfitojnë sipas këtij paragrafi, personat e dënuar përsëritës të së njëjtës vepër penale. /a.y/noa.al