Transmetuar më 21-01-2020, 17:51

Në auditimin e publikuar për Performancën e Ministrisë së Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, KLSH ka konstatuar mangësi në menaxhimin e peshkimit dhe akuakulturës.

Në një njoftim mbi Auditimin, theksohet se Ministria e Bujqësisë nuk ka bashkëpunuar me strukturat vartëse sa i përket zbatimit të politikave, përfshi Ligjin e Akuakulturës së 2016.

Po ashtu thuhet se nuk ka kontrolle apo inspektime sa i përket peshkimit duke mos parandaluar dot peshkimin e paligjshëm.

"Kontrolli i Lartë i Shtetit në dhjetor të vitit 2019 përfundoi auditimin e performancës me temë ‘Performanca e MBZHR-së në Kuadër të Zbatimit të Politikave të Peshkimit dhe Akuakulturës’ të ushtruar në Ministrinë e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural dhe në institucionin e varësisë Drejtorinë e Shërbimeve të Peshkimit dhe Akuakulturës. Ky auditim është miratuar nga Kryetari me Vendimin nr. 166, datë 28.12.2019.

Në përfundim të auditimit disa nga problematikat kryesore që rezultuan paraqiten të përmbledhura në vijim.

MBZHR nuk ka hartuar dhe miratuar një sërë aktesh nënligjore duke dështuar në plotësimin e kuadrit ligjor të peshkimit dhe akuakulturës. Ligji i Akuakulturës i miratuar në vitin 2016 ende nuk ka gjetur zbatim si rezultat i mos miratimit të Zonave të Përcaktuara për Akuakulturë duke penguar kështu zhvillimin e këtij sektori", thuhet në njoftim. /noa.al/