Transmetuar më 21-01-2020, 15:46

Kreu i Prezencës së OSBE-së në Tiranë Bernd Borchardt mendon se do ishte një hap pozitiv kalimi i kandidatëve që garojnë në zgjedhje përmes një procesi vetting-u. Në një aktivitet organizuar në Tiranë nga ODIHR, ambasadori Borchardt kujtoi se opozita e bashkuar ka sugjeruar krijimi i mekanizmave për të prerë lidhjet mes krimit dhe politikës, për të cilin në fund të vitit 2018 pati edhe një reagim nga Komisioni i Venecias.

“Në fund të vitit 2018, pati një projektligj për këtë. Komisioni i Venecias e quajti jopërpjestimor. Por Komisioni theksoi, njëkohësisht, përligjjen për të diskutuar një ligj të tillë. Unë do të sugjeroja një diskutim të plotë për mënyrat e kufizimit të ndikimit të shkelësve të ligjit në jetën politike të rangut të lartë. Gjatë procesit të vettingut në drejtësi, justifikimi i pasurisë ka luajtur një rol mbizotërues.

Institucionet e zbatimit të ligjit duhet të hetojnë katërcipërisht të gjitha pretendimet për shkelje zgjedhore. Ne besojmë se reforma në drejtësi është pjesë e rrugës në këtë drejtim. Prokurorët duhet të jenë të gatshëm të shqyrtojnë akuzat për krime zgjedhore. Kjo do të sillte një ndikim frenues”, deklaroi Borchardt.

Sa i përket shitblerjes së votës, që është një nga temat e nxehta ai u shpreh se, "Ne kemi rekomanduar një fushatë ndërgjegjësimi qytetar përpara zgjedhjeve, ndjekjen penale të shkelësve të ligjit, një zotim të sinqertë të partive politike për të luftuar shitblerjen e votës, si edhe që politikanët të refuzojnë publikisht mbështetjen financiare nga individët me të shkuar kriminale".

Duke u ndaluar te presioni mbi administratën publike, ambasadori kishte një propozim konkret. "ODIHR-i ka sugjeruar ngritjen e një strukture të pavarur për trajtimin e pretendimeve për presion mbi administratën dhe abuzime me burimet shtetërore. Hapa të mëtejshëm duhen marrë edhe për depolitizimin e shërbimit civil. Po ashtu, qeveria duhet të hartojë një procedurë sipas së cilës punonjësit e administratës publike mund të denoncojnë çdo lloj presioni ndaj tyre. Këta persona duhet të gëzojnë mbrojtjen si sinjalizues".

Një aspekt tjetër për të cilin ka rekomandime ka të bëjë me sektorin e medias. "Një nga rekomandimet është që të ashtuquajturat ‘kaseta’ të përgatitura nga partitë duhet të kufizohen dhe të etiketohen qartë" tha ai. Një rekomandim tjetër është ai për dekriminalizimin e shpifjes, pra heqjen e saj nga kodi penal. Po ashtu, "përqendrimi i pronësisë në media, në sektorin e transmetimeve, duhet të kufizohet" vijoi më tej  Bernd Borchardt duke theksuar se "Ky është njëri ndër rekomandimet e papërmbushura. Përfaqësuesi i OSBE-së për Lirinë e Medias ka rekomanduar që projektligji për shpifjen ka nevojë për përmirësime të mëtejshme".

Kryetari të Prezencës së OSBE-së i kushtoi rëndësi edhe barazisë gjinore. Afati për miratimin e draftit është 15 marsi, por Borchardt ka dyshime për kohën. "Shqyrtimi i të gjithave deri më 15 mars do të jetë një sfidë e vështirë, pasi tashmë jemi në janar. Unë u uroj të gjithë aktorëve të përfshirë fat, dëshirën për të bërë kompromis, si edhe shumë energji", përfundoi ai./b.l/noa.al/