Transmetuar më 21-01-2020, 11:42

Në një homazh të zhvilluar në heshtje, përgjatë bulevardit “Dëshmorët e Kombit” në Tiranë, familjarë të viktimave të 21 Janarit, vendosën lule në vendet ku u vranë katër protestuesit.

Në mungesë të Kryeministrit Edi Rama, i cili nuk është kthyer ende nga një vizitë zyrtare në Ukrainë, familjarët e të ndjerëve u pritën nga zëvendëskryeministri Erion Braçe.

Ndërkohë në homazhet e nëntë vjetorit nga vrasja tragjike e katër protestuesve në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, familjarët e viktimave u shoqëruan nga sekretari i përgjithshëm i Partisë Socialiste, Taulant Balla, deputetë dhe përfaqësues të mazhorancës.

Familjarët kërtkojnë që të bëhen drejtësi për viktimat, ndërkohë që Kryeministri Edi Rama është zotuar se “drejtësia e re” do të bëjë drejtësi.

Në 21 Janar 2011 në protestën e thirrur nga lideri i opozitës së asaj kohe, Edi Rama, mbetën të vrarë me armë zjarri protestuesit, Aleks Nika, Ziver Veizi, Faik Myrtaj dhe Hekuran Deda.

Si fajtorë për ngjarjen Gjykata e Tiranës, dënoi ish-komandantin e Gardës Andrea Prendin dhe gardistin Agim Llupo.

Një vit më parë katër të vrarët u shpallën “Dëshmorë të atdheut”, teksa familjarët e tyre kërkojnë drejtësi.

Ndërkaq, familjet e “Dëshmorëve të Atdheut” gëzojnë nderim e përkrahje të veçantë nga shteti. Ato përfitojnë shpërblim financiar mujor. /a.y/noa.al