Transmetuar më 21-01-2020, 11:24

Të gjithë presin rezultate konkrete nga ngritja dhe funksionimi i Prokurorisë së Posaçme Antikorrupsion (SPAK). Por suksesi apo dështimi në punën e këtij institucioni varet nga disa faktorë. Kryetari i KLP, Gent Ibrahimi ngriti shqetësimin për gamën e gjerë të veprave penale në fushën e korrupsionit, gjë të cilat sipas tij nuk duhet të ishin në juridiksionin e SPAK.

Ibrahimi tha se nëse duhen rezultate pozitive në fushën kundër korrupsionit është e domosdoshme që portofoli i Prokurorisë së Posaçme të reduktohet dhe të përqendrohet tek ata zyrtarë që kanë peshë.

"Një çështje me rëndësi jetike në suksesin apo dështimin e hetimit të korrupsionit është zgjedhja që bën legjislatori në lidhje me juridiksionin e prokurorisë së posaçme, me fjalë të tjera zgjedhja e portofolit të veprave penale që hetohen nga kjo zyrë prokurorie apo nga një zyrë tjetër prokurorie, në rastin tonë është fjala për portofolin e SPAK", tha Ibrahimi.

Sipas tij po ta krahasosh sferën e çështjeve penale që heton sot SPAK në krahasim me atë sferë çështje që hetonte Prokuroria e Krimeve të Rënde është evidente një ngushtim dhe përqendrim tek ato vepra penale që janë të rëndësishme, krimi i organizuar dhe korrupsioni.

"Kam një pikëpyetje për korrupsionin, që jam i bindur që do dëgjojmë për të gjithmonë e më shpesh në të ardhmen nëse zgjedhja që është bërë për juridiksionin e SPAK sa i takon korrupsionit është apo nuk është më e mira.

Fakti është që prokuroria jonë e posaçme do të jetë e detyruar të hetojë edhe çështjen më banale të korrupsionit në periferitë e këtij vendi, krahas çështjeve të rëndësishme të korrupsionit që përfshijnë liderin e lartë të administratës dhe të politikës. Kjo ndoshta me kalimin e kohës do të vërtetojë që nuk ishte zgjedhje e mirë.  Është vërtetë jetike që zgjedhja, vendimet në lidhje me juridiksionin të jenë të tilla që të mundësojnë rezultatet që ne i presim", u shpreh ai.

Ibrahimi thekson se në rast se presim rezultate në fushën kundër korrupsionit është e domosdoshme që portofoli i Prokurorisë së Posaçme në këtë aspekt të jetë më i reduktuar dhe të jetë i orientuar atyre funksionarëve që kanë peshë./b.l/noa.al/