Transmetuar më 20-01-2020, 18:05

Ditët e fundit, janë shtuar rastet e paraqitura me sëmundjen meningjit, të cilat kanë shqetësuar shqiptarët. Mjeku infeksionist Artan Simaku deklaroi se nuk ka vend për panik pasi situata aktuale është normale.

"Janë rreth 7 raste në vit, pra në vitet e fundit rreth 7 raste në vit, që nuk shpërthejnë as epidemi dhe as rrezik. Pra situata është normale dhe e zakonshme", tha Simaku.

Në emisionin "Historia ime", ai u pyet nëse mund të vdesim nga gripi apo ka rrezik për epidemi meningjiti.

"Gripi duhet theksuar që është një sëmundje që ka një klinikë nga të lehtë, mesatare dhe deri në një klinikë të rëndë dhe shkakton dhe vdekje tek personat që janë me risk të popullatës", theksoi Simaku.

Mjeku shtoi se situata në Shqipëri është e zakonshme dhe nuk ka indikacione epidemiologjike, as për shpërthim dhe as për epidemi.

"Situata monitorohet çdo ditë në të gjithë Shqipërinë dhe nuk ka vend për panik", përfundoi mjeku Simaku.