Transmetuar më 19-01-2020, 13:09

Presidenti i Republikës, Hashim Thaçi, ka dhënë shenjat e para se do ta nominojë Albin Kurtin për Shef të Qeverisë edhe nëse lideri i VV-së nuk e çon emrin te Shefi i Shtetit.

Thaçi ka thënë se ka fakte të mjaftueshme për ta mandatuar Kurtin për Kryeministër pasi i njëjti është i nominuar nga Partia dhe ka caktuar edhe gjysmën e Qeverisë.

“Jam duke menduar se do ta pranojë sepse është një rregull i pashkruar se në momentin kur Kryetari i Partisë së Parë, e ka mandatuar Partia, e ka nominuar më shumë se gjysmën e Qeverisë, në konsultim e sipër edhe në kuptim zyrtar merr nominimin”, ka thënë Thaçi, pas takimit me William Wolker.

“E kam nënshkruar nominimin si Kryeministër i ardhshëm i Republikës së Kosovës. Shprtesoj se nuk do të kalojë kohë e gjatë dhe z. Kurti të pranojë mandatin. Në rrethana tjera mund ta deklarojë refuzimin”, ka shtuar ai.

Thaçi ka thënë se qytetarët e Kosovës dhe partnerët ndërkombëtarë janë duke pritur që të themelohen instutitucionet. Prandaj, ka thënë se Kurti duhet të pranojë ose refuzojë të themelojë Qeverinë e re bazuar në rezultatet e 6 tetorit.

Zyrtarët e Vetëvendosjes përfshirë Albin Kurtit vazhdimisht kishin thënë se koalicioni do të ndërtohej shpejt. Madje, Kurti një ditë pas zgjedhjeve kishte thënë se koalicioni do të nënshkruhet më së largu 100 orë pas certifikimit të zgjedhjeve të 6 tetorit.

Mandatari për formimin e qeverisë e ka caktuar edhe kabinetin qeveritar, duke propozuar emrat në mesin e të cilëve edhe Haki Abazin për Zëvendëskryeministër.