Transmetuar më 16-01-2020, 19:22

Në këtë letër, kryetari i LVV-së, Kurti, i bën thirrje Mustafës të heqë dorë nga largimi i Glauk Konjufca nga kreu i Kuvendit dhe e fton të rikthehet në tryezën e bisedimeve për marrëveshje për qeverinë e përbashkët

Në letrën epublikuar, Kurti i shkruan Mustafës se është për të ardhur keq që ai ka vendosur që të ndalë bisedimet për koalicion, duke theksuar se e ka detyruar që të shkruaj letra.

“Është për të ardhur keq që keni vendosur t`i ndërpreni takimet tona për koalicionin qeverisës duke më detyruar të shkruaj letra, thuajse jemi kundërshtarë politik apo jetojmë në kontinente të ndryshme”, ka shkruar Kurti në letër.

Kanë kaluar mbi 100 ditë prej ditës së zgjedhjeve dhe dy partitë fituese, Lëvizja Vetëvendosje dhe Lidhja Demokratike e Kosovës, të cilat kishin trumbetuar një koalicion të përbashkët e të emëruar nga vetë ata si “koalicioni i shpresës”, nuk po tregojnë se mund të ketë shpresë për këtë koalicion.

Mbrëmë, përfaqësues të të dy partive kanë dhënë deklarata të cilat nuk lënë vend të mendohet se mund të ketë një marrëveshje midis tyre.