Transmetuar më 16-01-2020, 19:07

Presidenti Ilir Meta i ka shprehur ngushëllimet e tij familjarëve të aktorit të njohur Xhavdet Ferri, i cili u nda sot nga jeta, në moshën 59-vjeçare.

Përmes një mesazhi në rrjetin e toij social Facebook, Meta shkruan se Ferri është një prej personaliteteve më të shquar të kinematografisë dhe filmave shqiptarë, ndërsa shton se Mjeshtri i Madh i Filmit do të mbahet mend përherë për rolet dhe personazhet karakteristike.

"Me hidhërim të thellë mësova lajmin e trishtë të ndarjes nga jeta të aktorit të mirënjohur dhe një prej personaliteteve më të shquar të kinematografisë dhe filmave shqiptarë më të dashur për ne, Xhevdet Ferri. Si për të gjithë artdashësit dhe simpatizantët e Tij të shumtë, kjo humbje e parakohshme dhe e pazëvendësueshme më ka prekur thellë.

Mjeshtri i Madh i filmit, por edhe i teatrit, Xhevdet Ferri do të mbahet mend përherë për rolet dhe personazhet karakteristike, të luajtura me aq talent dhe mjeshtëri të rrallë, për të cilat meritoi të gjithë respektin, vlerësimet dhe simpatinë, nga shumë breza, duke na lënë pas një trashëgimi të vyer në kinematografi.

Duke ndarë dhimbjen e thellë për humbjen e këtij artisti të madh, i përcjell ngushëllimet më të sinqerta familjes, të afërmve dhe gjithë bashkëpunëtorëve. Kujtimi i Tij do të mbetet i paharruar!", shkruan Meta./b.l/noa.al/