Transmetuar më 15-01-2020, 21:32

Komisioneri i ri për Zgjerim të Bashkimit Evropian, Oliver Varhelyi ishte sot në Maqedoninë e Veriut, në vizitën e parë zyrtare jashtë BE-së, ku u takua me zyrtarët më të lartë të vendit.

Varhelyi në një konferencë shtypi me Kryeminstrin Oliver Spasovski tha se Maqedonia e Veriut dhe Shqipëria janë të gatshme të fillojnë bisedimet për anëtarësim dhe tha se negociatat duhet të çelen para samitit të Zagrebit, në muajin maj.

Ndërkaq, ai u bëri thirrje subjekteve politike në Shkup që ta miratojnë sa më parë Ligjin për Prokurorinë publike.

“Duhet të punojmë në bazë të vlerësimeve se Maqedonia e Veriut dhe Shqipëria janë të gatshme që të fillojnë bisedimet për anëtarësim (me BE-në) dhe nuk ka ndryshim këtu; Do t’i përmbahemi vlerësimit origjinal që është se ne duhet t’i fillojmë bisedimet për anëtarësim me këto dy shtete".

"Po ashtu, kjo do të thotë se ne duhet të kemi një vendim pozitiv nga Këshilli Evropian se duhet t’i fillojmë bisedimet para samitit të Zagrebit që do të mbahet në muajin maj” tha Komisioneri Varhelyi.

Ai theksoi më tej se duhet që qeveria (e Maqedonisë së Veriut) dhe të gjitha institucionet t’i zbatojnë reformat e BE-së, të vazhdojnë në këtë rrugë dhe në këtë mënyrë t’i jepet përparësi ligjit të ri mbi Prokurorinë publike.

“Shpresojmë që kjo të bëhet nga kjo përbërje e parlamentit dhe kjo do të ishte një shenjë shumë me rëndësi për vendet anëatre të BE-së”, tha ai.

“Pas zgjedhjeve, shpresoj se do të ketë një partner të qartë dhe të besueshëm në qeverinë e re dhe unë mbështes dhe jam i hapur për të punuar me këdo që do të jetë në qeveri. Komisioni (Evropian) nuk synon të ndërhyjë në çështjet e brendshme politike të asnjë sheti dhe aq më pak ndaj vendeve aspiruese ër anëtarësim”, theksoi Komisioneri Varhelyi.

Varhelyi tha se në muajt në vijim do të duhet të dalë një paketë e re lidhur me procesin e zgjerimit, i cili duhet të jetë “i besueshëm, më objektiv dhe më dinamik”.

Kryeministri i qeverisë teknike në Shkup, Oliver Spasovski tha se vendi i tij me të drejtë pret realizimin e synimit për fillimin e bisedimeve “pas 15 vjetësh në dhomën e pritjes me status vend kandidat për anëtarësim”. /NOA.al