Transmetuar më 14-01-2020, 13:57

Fill pas vendimit të opozitës për të mandatuar dy përfaqësuesit e tyre për të ulur në tryezën e negociatave për Reformën Zgjedhore, Oerd Bylykbashi në emër të PD dhe Petrit Vasili në emër të LSI-së nuk kanë humbur kohë.

Në funksion të arritjes së një marrëveshjeje për reformën zgjedhore, forcat politike duket se kanë lënë mënjanë ‘inatet e vjetra’ dhe janë ulur në tryezën e bisedimeve, për një nga kushtet e Bundestagut për çeljen e negociatave.

Të pranishëm në tryezë janë Damian Gjiknuri, bashkëkryetar i Komisionit të Posaçëm për Reformën Zgjedhore, përfaqësues i Partisë Socialiste, bashkëkryetarja tjetër e Komisionit të Posaçëm për Reformën Zgjedhore, Rudina Hajdari, përfaqësuese e opozitës parlamentare, si edhe dy të mandatuarit e opozitës së bashkuar, Oerd Bylykbashi dhe Petrit Vasili.

Opozita e Bashkuar mandatoi sot Oerd Bylykbashin e Petrit Vasilin për t’u dakordësuar me palën tjetër për reformën zgjedhore. Pasi zbuloi emrat, në një deklaratë për mediat që i parapriu mbledhjes me aleatët në seli, Basha bëri të ditur gjithashtu edhe 3 kushtet për maxhorancën:

1.Miratim i reformës zgjedhore në mënyrë transparente, gjithëpërfshirëse, konsensuale mes partive politike.

2.Hartimi dhe diskutimi i reformës jashtë parlamentit në tryezën politike të partive.

3.Miratimi pa ndryshime nga komisioni dhe Parlamenti i produktit konsensual të tryezës politike./b.l/noa.al/