Transmetuar më 14-01-2020, 12:51

Kryedemokrati Lulzim Basha nënvizon nevojën e një mekanizmi gjithëpërfshirës dhe transparent për reformën zgjedhore në mënyrë që të ketë zgjedhje të lira dhe të ndershme, gjë që sipas tij është kusht i Bundestagut gjerman.

Ai tha se ky proces është zvarritur prej mungesës së vullnetit.

Pas takimit që pati me aleatët opozitarë, Basha deklaroi se opozita e bashkuar rikonfirmon qëndrimin e saj për nisjen pa vonesë dhe përfundimin një orë e më parë të reformës zgjedhore.

“Mandatuan zotin Oerd Bylykbashi dhe zotin Petrit Vasili për të propozuar ndaj palës tjetër mekanizmin për ecjen përpara me reformën zgjedhore, propozime të cilat janë të njëjta me ato të muajit tetor: Miratim i reformës zgjedhore në mënyrë transparente, gjithëpërfshirëse, konsensuale mes partive politike; Hartimi dhe diskutimi i reformës jashtë parlamentit në tryezën politike të partive; Miratimi pa ndryshime nga komisioni dhe Parlamenti i produktit konsensual të tryezës politike”, u shpreh Basha.

Ai tha se Bylykbashi dhe Vasili do të negociojnë me palën tjetër për t’iu hapur rrugë për zgjedhje të lira dhe të ndershme për daljen nga kriza, ndërsa kërkoi që pala tjetër të mos vonojë dakordësinë.

Sipas tij, zgjidhja e krizës do të vijë me zgjedhjet të parakohsme parlamentare në një ditë me ato lokale. /a.y/noa.al