Letra emocionuese e 8-vjeçares para se të humbte jetën nga tërmeti: Mami qan shumë, babi na sheh nga lart
Transmetuar më 14-01-2020, 12:43

Ndër viktimat e tërmetit të 26 nëntorit ishin edhe vogëlushja Esjela Karanxha me nënën e saj Diena.

Vajza nuk doli e gjallë nga rrënojat, ndërsa nëna ndërroi jetë pas disa orësh kur mësoi se e bija nuk ishte pranë saj.

Dy muaj para tragjedisë së nëntorit, Esjela kishte dërguar një letër prekëse në redaksinë e “Dua të të bëj të lumtur” dhe këtë e ka zbuluar moderatorja Arbana Osmani.

Para pesë vitesh, Diena kishte humbur bashkëshortin  piktorin Dorian Karanxha, i cili vdiq në moshën 37-vjeçare prej një ataku kardiak dhe e la të vetme të rriste vajzën.

Në letrën emocionuese, vajza kërkonte të bënte të lumtur gjyshen që e kishte rritur dhe nënën e saj. Kujtojmë se edhe gjyshja ishte pjesë e numrit të viktimave të tërmetit tragjik.

Letra e plotë:

Unë që po ju shkruaj quhem Esjela Karanxha dhe jam 8 vjeçe. Dua të të bëj të lumtur gjyshen më të mirë në botë, atë që më ka rritur me shumë dashuri, nënën time Rozetën. Ajo është gjithmonë me mua, s’më ka lënë kurrë të mërzitem që kur babi iku lart në qiell. Mami qan shumë, por ajo më thotë që ju më keni mua dhe ne babi na sheh nga lart dhe lutet për ne. Unë e dua shumë gjyshen time. Për vitin e ri 2019, ne e festuam dhe unë i këndova nënës këngën tonë të preferuar të Kejsi Tolës “Ti më ke mua”. Unë dua t’i them që ti gjithmonë do të më kesh pranë dhe kur unë të rritem do të jem gjithmonë me ty.

17 shtator 2019

Loading...
Loading...