Tërmeti i 26 nëntorit, Blendi Klosi: Zona e Durrësit është e paprekur, e gatshme për të pranuar miliona turistë
Transmetuar më 14-01-2020, 11:17

Ministri i Turizmit, Blendi Klosi deklaroi se Durrësi do të mirëpresë këtë verë turistë, pavarësisht goditjes natyrore që pësoi në nëntorin e vitit të kaluar.

Në samitin “Turizëm, Solidaritet dhe Qëndrueshmëri”, në kuadër të solidaritetit për të ndihmuar të prekurit nga tërmeti, Klosi tha se mijëra familje kanë gjetur dyert e hapura falë hoteleve.

"Organizojmë këtë samit për të treguar se Shqipëria ka tashmë një ofertë turistike të konsoliduar, të qëndrueshme dhe në çdo kohë. Mijëra familje gjetën dyert e hapura dhe dorën e mikpritjes së strukturave akomoduese hoteliere shqiptare. Ata u hapën dyert dhe strehuan në sofrën e madhe shqiptare, siç kanuni e përcakton mijëra qytetarë në ditën e tyre më të keqe. Kjo është dera e hapur e industrisë së turizmit shqiptar. Në rritje 2 fishore nga 2.2 milion turist në vitin 2013 në 6 milion vitin e kaluar dhe 6.5 milion këtë vit. Shqipëria tashmë ka hyrë në listën e vendeve me industri turizmi konkurruese", u shpreh Klosi.

Ministri theksoi se sezoni turistik i këtij viti do të jetë i suksesshëm dhe Durrësi nuk përjashtohet nga plazhet turistike.

"Pavarësisht goditjes së natyrës, zona e Durrësit është e paprekur, është e gatshme për të pranuar mijëra dhe miliona turistë. Sezoni turistik 2020 do të jetë një sezon i suksesshëm dhe për plot familje shqiptare. Këtë praktikë që ne bëmë në Shqipëri, ta ndajmë nëpër botë. Turizmi është një shtyllë shumë e rëndësishme për ekonominë e vendit. Ne nuk jemi konkurrentë, ne jemi bashkëpunues", u shpreh Klosi./noa.al/

Loading...
Loading...