Transmetuar më 13-01-2020, 09:39

Shtohet lista e viktimave si pasojë e zjarreve që shkatërruan Australinë. Courtney Partridge-McLennan, një vajzë 19 vjeçe, gjeti vdekjen si pasojë e asfiksisë nga tymi i madh në zonën e Glen Innes.

Ngjarja në fjalë ka ndodhur në muajin nëntor dhe tashmë familja e vajzës kërkon që Courtney të futet në listën e viktimave nga zjarret për shkak se vuante nga astma dhe gjendja e saj u provokua nga tymi duke bërë që të gjejë vdekjen.

Sipas familjes shkak për vdekjen e saj u bë tymi i shkaktuar nga zjarret që përfshinë vendin qysh prej shtatorit.

“Adoleshentja gjeti vdekjen për shkak se ishte e rrethuar nga tymi dhe nuk kishte mundësi të merrte frymë lirisht”, thotë e motra Cherylleigh.

Trupi i pajetë i saj u gjet mëngjesin e 29 nëntorit. “Nuk ishte azmatike në gjendje të rëndë. Natën kur gjeti vdekjen, tymi ishte kaq i dendur sa që nuk arrije të shihje në anën tjetër të rrugës”, vijon më tej motra e 19-vjeçares, e cila thotë se do të luftojnë që të bëhet drejtësi për njerëzit që kanë humbur jetën nga zjarret për shak të problemeve me frymëmarrjen.

Zjarret pranë Glen Innes iu morën jetën tre personave në muajin nëntor, duke lënë pas një shtëllungë të dendur tymi. /a.y/noa.al