Transmetuar më 10-01-2020, 22:30

I dënuar me 8 vjet burg, Adonis Gashi, i akuzuar për ndihmë në kryerje të veprës penale: vrasje e rëndë ishte lënë i lirë nga organet e drejtësisë për plot pesë muaj.

Në mars të vitit të kaluar, Gjykata e Apelit, katër nga pesë të dënuarit për vrasjen e policit Shemsedin Gashi, ua kishte ashpërsuar dënimin .

Në mesin e tyre ishte edhe Adonis Gashi, i cili në kohën kur ishte marrë vendimi për dënimin e tij, gjendej në liri pasi që kishte kryer një pjesë të dënimit të dhënë nga Gjykata e shkallës së parë.

Por, sipas KTV, që nga muaji mars deri në shtator të vitit të kaluar, as Gjykata e Apelit e as ajo Themelore nuk kishin ndërmarrë asnjë veprim për t’u siguruar që Gashi të shkonte në burg.

Ndonëse në vendimin e Gjykatës së Apelit thuhej se Gashit i ishte ashpërsuar dënimin në 8 vjet, nuk ishte bërë fare kërkesë që të lëshohet urdhër për ta arrestuar dhe dërguar atë në burg. Kryetari i Gjykatës së Apelit Hasan Shala, e pranon se në këtë rast, gjyqtarët e Apelit kishin bërë lëshim, duke mos kërkuar arrestimin e tij në momentin e shpalljes së aktgjykimit.

Sipas Shalës, lëshimin më të madh në këtë rast e ka bërë Gjykata Themelore e Prishtinës.

Sipas tij, gjykata nuk është përkujdesur që pas 15 ditësh ta lëshojë urdhërarrestin ndaj Gashit./NOA.al