Transmetuar më 09-01-2020, 20:58

Sulmuesi i Tottenham Harry Kane do të qëndrojë jashtë fushave të lojës deri në muajin prill. Sulmuesi i klubit londinez do t’i nënshtrohet një ndërhyrjeje kirurgjikale dhe pritet të mungojë për një periudhë 3-mujore.

Lajmi u bë i ditur nga vetë zyrtarët e “Spurs”, që qartësuan se 26-vjeçari do të operohet për këputjen e një tendine, në bisepsin e majtë femoral.

Kapiteni i “Gjelave” u dëmtua gjatë ndeshjes me Southampton-in në Stadiumin Saint Mary, në ndeshjen hapëse të vitit, në ditën e parë të 2020-s, sfidë të cilën “Spurs” e humbën me rezultatin 1-0.

Harry Kane la fushën në momentin kur VAR-i po kontrollonte golin e shënuar prej tij, pikërisht në momentin që ndjeu edhe dhimbjet e para, gol që më pas u anulua për pozicion milimetrik jashtë loje.

Nuk është bërë e ditur një datë e saktë për kohën e tij të rikthimit, megjithatë një dëmtim i tillë kërkon një periudhë afërsisht 3-mujore për riaftësimin e plotë. Mjekët specialistë i këshilluan menjëherë ndërhyrjen kirurgjikale dhe ishin pikërisht doktorët që përjashtuan një kthim të mundshëm përpara muajit prill.

Harry Kane mund të vërë në dyshim gjithashtu edhe pjesëmarrjen e tij në kampionatin e ardhshëm europian, që do të zhvillohet nga 12 qershori deri më datë 12 korrik.

Jose Mourinho humbet kështu Harry Kane, futbollistin më të rëndësishëm te Tottenham Hotspur, për më tepër sulmuesi i vetëm i ekipit e mbylli fazën e parë të sezonit duke shënuar plot 27 gola në 31 ndeshje, me klubin si dhe fanellën e përfaqësueses së “Tre Luanëve”.

/NOA.al