Transmetuar më 06-01-2020, 20:35

Juve e nis mbarë Vitin 2020.

Por Milani nuk fiton as me Zlatan Ibrahimovic në fushë, me suedezin që pasi tërhoqi vëmendjen e botës me transferimin te kuqezinjtë, nuk arriti të bëjë asgjë për t’i dhënë skuadrës fitoren në ato 35 minuta që qëndroi në fushë përballë Sampdorias.

Pioli preferoi të nisë ndeshjen me Piatek nga minuta e parë, ndërsa në minutën e 55’të polaku i la vendin Ibrës, por pavarësisht dominimit dhe mundësive për shënim, asnjë prej kuqezinjve nuk arriti të shtyjë topin në rrjetë.

Bardhezinjtw mposhtën bindshëm 4-0 Cagliari-n në “Allianz Stadium”, duke u shkëputur përkohësisht në krye të renditjes, në pritje të ndeshjes mes Napolit dhe Inter.

Pasi dështuan në Superkupën e Italisë përballë Lazios, në ndeshjen e fundit për vitin që lamë pas, të besuarit e Sarrit ishin impenjuar maksimalisht pasditen e sotme.

Juve dominoi takimin gjatë gjithë 90 minutave, duke mbyllur kundërshtarin në gjysmëfushë.

Nga ana tjetër sardët u mbrojtën mirë në pjesën e parë, duke lënë shumë pak hapësira.

Një gabim në prapavijë në fillim të pjesës së dytë, u kushtoi shtrenjtë, pasi Cristiano Ronaldo përfitoi maksimalisht dhe dërgoi topin në rrjetë.

Më pas bardhezinjtë arritën të shënojnë edhe tre herë të tjera, me Higuain dhe Cristiano Ronalon që kompletoi tripletën personale, duke marrë në shtëpi topin e ndeshjes dhe duke i dhënë 3 pikët skuadrës së tij.

Vijon të dhurojë paraqitje mjaft pozitive Atalanta, që pasi mposhti Milanin 5-0, të njëjtin rezultat e përsëriti edhe pasditen e sotme përballë Parmës, në “Gewiss Stadium”, duke konfirmuar formën e mirë gjatë këtij kampionati.

Gomez, Freuler dhe Gosens shënuan në pjesën e parë për zikaltrit, por goleada u siglua nga Josiph Ilicic, që shënoi dy herë në pjesën e dytë, ndërsa Atalanta u ngjit në kuotën e 34 pikëve, një më pak se Roma e vendit të katërt.

/NOA.al