Transmetuar më 06-01-2020, 16:01

Presidenti Thaçi pati një takim me kryetarin e LVV, Albin Kurti, të cilit i la afat 48 orë për nominimin e kandidatit për kryeministër në Kosovë.

"Si president i vendit do ta ushtroj autoritetin tim kushtetues dhe ligjor të ruajtjes dhe kultivimit të unitetit politik e qytetar dhe orientimit euroatlantik të shtetit të Kosovës.

Prandaj, kam vendosur që t’i ofroj z. Kurti kohë shtesë edhe 48 orët e ardhshme për nominimin e kandidatit/kandidates për kryeministër të ardhshëm të Qeverisë së Republikës së Kosovës, para se të marr veprimet e radhës kushtetuese dhe ligjore", shkruajti Thaçi.

Thaçi shkruajti se nevoja e formimit të qeverisë është jetike për shtetin dhe qytetarët e Kosovës. Ai i la afatin 48 orë Albin Kurtit, pasi sot nuk ishte i gatshëm të ofrojë propozimin e të nominuarit nga Lëvizja Vetëvendosje.

Me anë të një shkrimi në Facebook, Presidenti Thaçi u shpreh se është bërë hapi i rëndësishëm i konstituimit të Kuvendit të Kosovës dhe për këtë përgëzoi deputetët.

"Sapo zhvillova një takim të shkurtër me kryetarin e Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurtin, në përpjekje për të implementuar rezultatin zgjedhor të Zgjedhjeve të Përgjithshme të 6 tetorit të vitit të kaluar.

Tashmë është bërë hapi i parë i rëndësishëm i konstituimit të Kuvendit të Republikës së Kosovës, për çka përsëri i përgëzoj deputetët e Kuvendit të Kosovës", shkruajti Hashim Thaçi.