Transmetuar më 03-01-2020, 10:59

Zoran Zaev njoftoi se ka firmosur dorëheqjen nga posti i kryeministrit të Maqedonisë së Veriut.

“Këtë mëngjes në orën 8.30 ishim në Qeveri. Nënshkrova dorëheqjen time, në përputhje me Marrëveshjen e Përzhinës dhe në bazë të Ligjit për Qeverinë. Besoj se dokumenti do të arrijë në Parlament shumë shpejt, në mënyrë që procedura të fillojë gjatë ditës për të mundësuar miratimin e qeverisë teknike”, tha Zaev.

Sot në Kuvend pritet të konstituohet dorëheqja e tij dhe të votohet qeveria teknike, e kryesuar nga ish ministri i Brendshëm Oliver Spasovski.

Ndërsa dje VMRO -DPMNE tërhoqi Dragan Kovaçkin dhe doli me kandidat të ri për për ministër teknik të Punëve të Brendshme.

Kandidati është Naqe Çulev, i punësuar në Agjencinë për Zbulim, propozim ky i pranueshëm për LSDM-në dhe BDI-në.

“Bëhet fjalë për njeri profesionist. Pres konsultime me z. Zaev i cili së shpejti duhet të kthehet në vend. Të bisedojmë edhe një herë. Të konsultohemi me z. Ahmet, siç parashohin ligjet, dhe më pas do ta mësojë edhe opinioni”,- deklaroi kryetari i VMRO-DPMNE-së, Hristijan Mickovski./noa.al/