Transmetuar më 26-12-2019, 23:43

Familja nga Prizreni jetonte prej 15 vitesh në qytetin Mont Brison, por nuk do ta harrojë kurrë 24 dhjetorin 2019, pas tragjedisë dhe humbjes së dy fëmijëve.

Majda Demiri, 5 vjeç dhe Adil Demiri 2 vjeç humbën jetën tragjikisht në valët e lumit Le Moingt të Francës ditën e mërkurë.

Ngjarja e rëndë ndodhi para syve të nënës së tyre, 35-vjeçares Arijana Demiri. Pasi pa se 2 fëmijët e saj që po luanin ranë në ujë ajo u fut në lumë, por nuk mundi t’i nxirrte ata jashtë për shkak të dallgëve. Televizioni “T7” i Kosovës ka arritur të kontaktojë familjarët që tregojnë si ndodhi ngjarja.

Pas ngjarjes tragjike nëna është shtruar në spital.

Sipas familjarëve, ajo është ende është në gjendje kome.

Sakaq, zyra e prokurorit në Saint-Etienne ka nisur hetimet dhe ka urdhëruar autopsinë e dy trupave. Familjen nga Kosova e kanë ngushëlluar Presidenti Hashim Thaci, kryeministri në detyrë, Ramush Haradinaj dhe ministri në detyrë i Jashtëm, Behgjet Pacolli.

Ngjarja e rëndë preku tërë komunitetin shqiptar. /NOA.al