Transmetuar më 25-12-2019, 23:39

Përpos albumit të saj të Krishtlindjes, këngëtarja e njohur Besa Kokwdhima ka folur për herë të parë edhe për largimin nga “Kënga Magjike”. Ajo për shkak të tërmetit shkatërrues të 26 nëntorit u tërhoq nga gara me të cilën konkurronte me këngën “Histori”.

Besa asokohe u shpreh se ishte e ngarkuar me dëshpërim dhe e kishte të pamundur që të këndonte.

Besa Kokëdhima  e ftuar këtë të mërkurë në natën e Krishtlindjes në “Soiree” me Jonida Shehun në Top Channel për të kënduar disa nga këngët e albumit të saj “Ti je festa ime”, sqaroi se pse ajo u tërhoq në mes të garës nga “Kënga Magjike”.

“Në disa reflektime mendimesh mendoja që jeta duhet të vazhdojë dhe askush nuk ka thënë të ndryshmen nga kjo. Jeta do vazhdojë pavarësisht mënyrës se si e përjetojmë ne një ngjarje aq të trishtë. Për mua ishte shumë herët në atë moment dhe prandaj u tërhoqa, sepse ishte shumë herët me ndodhinë, por edhe në respekt të njerëzve që humbën njerëzit e tyre. Mendoj se muzika ka nevojë për një atmosferë të caktuar emocionale, ka një kontekst që për mua deri diku në thonjza është luksi emocional. Kështu që kjo përderisa nuk ekzistonte më, ishte e vështirë të gjendesha në skenë”, është shprehur Besa Kokëdhima.

Studio e “Soiree” ishte kthyer si një përrallë ku këndoheshin këngë Krishtlindje mbushur me plotë fëmijë që kërcenin edhe këndonin me këngën e Besa Kokëdhimës. Ajo është ndjerë shumë e lumtur që rrethohej me kaq shumë fëmijë saqë u shpreh se edhe ajo do dëshironte të bënte fëmijë.

“Këta fëmijë kaq të bukur Jonida më ngjallin dëshirën që të bëj fëmijë”, është shprehur këngëtarja e njohur, e cila më pas vazhdoi duke thënë që nëse do të ishte nënë do të ishte shumë protektive ndaj fëmijëve të saj.

Moderatorja Jonida Shehu e ka pyetur nëse është në planet e saj të afërme për të bërë fëmijë, por mesa duket duhet të presim edhe pak që ta shohim Besa Kokëdhimën nënë.

“Nuk ka ardhur ende momentin për mua, kam ende punë, ende gjëra për të bërë”, ka shtuar ajo./NOA.al