Transmetuar më 25-12-2019, 08:45

Besimtarët e krishterë në të gjithë botën kremtojnë Krishtlindjen. Kjo ditë e shënuar simbolizon paqe e dashuri ndër besimtarët.

Mëngjesin e sotëm në kishën ortodokse, "Ngjallja e Krishtit" në Tiranë, po mbahet mesha e Krishtlindjes.

Besimtarët po luten për më shumë drejtësi e paqe në botë. Mesha po drejtohet nga Kryepeshkopi Anastas Janullatos.

Ndwrsa në mesnatë, në katedralen “Shën Pali” imzot Frendo mbajti meshën para besimtarëve. Të pranishëm në kishë ishin një sërë personalitetesh të njohur, mes tyre Presidenti Ilir Meta me të shoqen Monika Kryemadhi.

Në mesazhin e tij Imzot George Frendo u ndal në tërmetin që goditi vendin në 26 nëntor, duke thënë se shqiptarët e kanë të shkruar në ballë dhe në zemër solidaritetin.

Nga ana tjetër Frendo tha se të gjithë që po abuzojnë duke rritur çmimet e qirave për banesat nisur nga rritja e kërkesave dhe atyre që kanë ngritur çmimet për materialet e ndërtimit se po bëjnë një mëkat të madh.

“Solidariteti bën pjesë te ADN-ja shqiptare, e kanë të shkruar në ballin dhe zemrën e tyre. Sa bukur kjo shoqëri dëshmoi këtë solidaritet të jashtëzakonshëm, por kam një pyetje; a jemi të gjithë duke treguar këtë solidaritet ndaj viktimave të këtyre tragjedie? Jo, jam ndjerë shumë i zhgënjyer që dëgjova se ka disa që po abuzojnë, që kanë rritur qiratë, dhe për kë? Për njerëz që në këtë fatkeqësi kërkojnë një vendstrehimi, po rrisnin çmimet e materiale që duhen për ndërtimet, është mëkat i madh, të përfitojnë nga kjo tragjedi për të fituar. U drejtohem atyre që po pasurohen dhe korruptojnë në sajë të tërmetit. U drejtohem me fjalët; qani dhe vajtoni për të këqijat që do vijnë mbi ju”, u shpreh Imzot Frendo.

Në mesazhin e tij jashtë katedrales, Presidenti Ilir Meta uroi “Gëzuar Krishtlindjet të gjithëve, mbarësi”./b.l/noa.al/