Transmetuar më 17-12-2019, 21:03

Nisma ligjore që kryeministri Edi Rama e ka cilësuar si “paketa antishpifje”, ka pësuar disa ndryshime të minutës së fundit, të cilat janë mbajtur të fshehura nga qeveria deri ditën e sotme, duke krijuar në opinionin publik përshtypjen se Edi Rama nuk është dorëzuar qoftë dhe pjesërisht nga drafti që kishte përgatitur.

Burime nga zyra e OSBE në Tiranë, i thanë agjencisë së lajmeve noa.al se janë të paktën 6 nene që kanë ndryshuar me kërkesë të kësaj organizate, ndërkohë që janë dhe po aq të tjera për të cilat qeveria ende nuk ka reaguar.

Kryeministri Rama, deklaroi sot se nuk dorëzohej nga drafti i tij dhe paralajmëroi se nesër (e mërkurë) do të kalohet për votim në Parlament. Në këtë deklaratë të pasdites së sotme, ai përmendi në mënyrë të përsëritur, atë që e cilësoi mbështetje të OSBE për këtë draft. Madje ai citoi z. Harlem Desir, ekspert për mediat në OSBE, si një prej njerëzve me të cilin qeveria punoi për hartimin e këtij drafti të shumëpërfolur dhe të papranuar deri më sot nga asnjë media, nga asnjë organizatë e shoqërisë civile, as nga opozita dhe as nga një pjesë e mirë e qytetarëve.

Pak orë më vonë sonte, z.Desir reagoi duke pohuar se ai dhe OSBE në të cilën bën pjesë, kanë qenë të pakënaqur me draftin “Rama” dhe kanë kërkuar një seri ndryshimesh.

Z.Desir konfirmoi se disa ndryshime janë bërë në draftin final të projektligjit "Për disa ndryshime dhe shtesa në ligjin nr.97/2013, “Për mediat audiovizive në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, draft i cili u publikua sot dhe shtoi se disa ndryshime të tjera janë ende pezull.

Por çfarë ka ndryshuar?

Z.Desir tregon se një ndër pikat më të diskutueshme, është ndryshuar dhe është pikërisht detyrimi që qeveria kishte vënë për regjistrimin e detyrueshëm.

Por sa vlen ky ndryshim përderisa disa muaj më parë qeveria lëshoi një urdhër që të gjitha mediat online të bënin regjistrim të detyrueshëm duke ia arritur thuajse për të gjitha portalet në Shqipëri? Gjithsesi, OSBE vlerëson se kjo tani mund të vlejë për faqe të tjera që mund të hapen në të ardhmen.

Desir thotë se “shumë përmirësime në versionin e fundit të botuar sot në krahasim me projektligjet e mëparshme”, duke përmendur dhe “masa mbrojtëse të përgjithshme lidhur me standardet ndërkombëtare të prezantuara”. Bëhet fjalë për nenin 4 ku janë bërë ndryshime të reja, siç mund të shihni draftin e plotë final në fund të këtij shkrimi.

Po ashtu, janë futur kufij të rreptë për marrjen e përmbajtjes (neni 132); rregullimi i së drejtës së përgjigjes është përshtatur me nevojat e botimeve elektronike dhe është kufizuar për të shmangur keqpërdorimet (neni 53/1); atribuimi i ri i AKEP është eliminuar.

Desir thotë se puna do të vazhdojë për të zvogëluar nivelin e gjobave, dhe për miratimin e një instrumenti nënligjor të ardhshëm, në mënyrë që të garantohet që asnjë gjobë në përpjesëtim nuk mund të vendoset për ofruesit e shërbimeve elektronike të publikimit.

Ai premton edhe se zyra e tij “do të monitorojë nga afër zbatimin e ligjit i cili në asnjë mënyrë nuk duhet të pengojë lirinë e shprehjes dhe lirinë e medieve”.

“AMA duhet të zbatojë ligjin në një mënyrë vërtet të pavarur", deklaron përfaqësuesi i OSBE-së për Lirinë e Medias Harlem Désir. /noa.al/

Paketa ‘Anti-shpifje’, KE: Merrni në konsideratë vërejtjet e OSBE-së, ligji i ri të jetë sipas standardeve

Ja projektligji që është dorëzuar në Parlament nga Qeveria

REPUBLIKA E SHQIPËRISË

Kuvendi

P R O J E K T L I GJ

Nr.______/2019

PËR

DISA NDRYSHIME DHE SHTESA NË LIGJIN NR.97/2013, “PËR MEDIAT AUDIOVIZIVE NË REPUBLIKËN E SHQIPËRISË”, TË NDRYSHUAR

Në mbështetje të neneve 78 dhe 83, pika 1, të Kushtetutës, me propozimin e Këshillit të Ministrave, Kuvendi i Republikës së Shqipërisë

V E N D O S I:

Në ligjin nr. 97/2013, “Për mediat audiovizive në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, bëhen këto ndryshime dhe shtesa:

Neni 1

Titulli i ligjit ndryshohet, si më poshtë vijon:

“Për shërbimet e medias në Republikën e Shqipërisë”.

Neni 2

Neni 1 ndryshohet, si më poshtë vijon:

“Neni 1

Objekti

Ky ligj rregullon të drejtat, detyrimet dhe përgjegjësitë e personave fizikë dhe juridikë, që ofrojnë shërbime audio, audiovizive dhe shërbime të publikimeve elektronike, nëpërmjet rrjetit të komunikimeve elektronike, si dhe promovimin e pluralizmit të medias dhe çështjeve të tjera me rëndësi për shërbimet mediatike, në përputhje me konventat dhe standardet ndërkombëtare.”.

Neni 3

Neni 2 ndryshohet, si më poshtë vijon:

“Neni 2

Fusha e zbatimit

Ky ligj zbatohet për transmetimet audiovizive lineare, transmetimet audiovizive jolineare, shërbimet mbështetëse të tyre dhe për shërbimet e publikimeve elektronike. Ky ligj nuk zbatohet për shtypin e shkruar.”.

Neni 4

Në nenin 3 bëhen këto ndryshime dhe shtesa:

1. Në pikën 3, emërtimi “Autoriteti i Mediave Audiovizive” zëvendësohet me “Autoriteti i Mediave Shqiptare”.

2. Pas pikës 17 shtohet pika 17/1, me këtë përmbajtje:

“17/1. Ofruesi i Shërbimit të Publikimeve Elektronike (OSHPE) është personi fizik ose juridik, pavarësisht nëse është i regjistruar ose jo si i tillë në Regjistrin e Ofruesve të Shërbimeve Mediatike, i cili ofron shërbimet e publikimeve elektronike, siç janë përcaktuar në pikën 26/1 të këtij neni.”.

3. Pika 22 ndryshohet, si më poshtë vijon:

“22. “Përgjegjësi editoriale”, nënkupton ushtrimin e kontrollit efektiv si për përzgjedhjen e programeve dhe për organizimin e tyre në:

a) një listë dhe orar, në rastin e shërbimeve të transmetimit të drejtpërdrejtë audioviziv;

b) një katalog, në rastin e shërbimeve të programit audioviziv, sipas kërkesës;

c) një publikim në rastin e publikimeve elektronike.”.

4. Pika 23 ndryshohet, si më poshtë vijon:

“23. “Prodhime të pavarura”, nënkuptojnë aktivitetet e prodhimit të veprave mediatike, të cilat plotësojnë një nga kushtet e mëposhtme:

a) Kur nuk janë të kontrolluara ose të lidhura me transmetuesit me licencë ose me autorizim për transmetim ose me ofruesit e shërbimeve të regjistruara në Regjistrin e Ofruesve të Shërbimeve Mediatike;

b) Kur për një periudhë prej tri vitesh, të paktën 90 për qind e këtyre prodhimeve nuk janë të destinuara për një transmetues të vetëm.”.

5. Pika 24 ndryshohet, si më poshtë vijon:

“24. “Prodhues i pavarur”, është personi fizik a juridik, i regjistruar për prodhimin e veprave audio dhe audiovizive me vendndodhje në Republikën e Shqipërisë ose në një shtet anëtar të Bashkimit Evropian, ose në ndonjë vend tjetër, që është nënshkrues i një marrëveshjeje ndërkombëtare të detyrueshme për zbatim për Republikën e Shqipërisë, që nuk është i lidhur me një ofrues të shërbimit të medias, pjesëmarrës në treg, në kuptim të ligjit që rregullon mbrojtjen e konkurrencës.

24/1. “Prodhimi personal”, është një program ose publikim që është prodhuar për herë të parë nga ofruesi i shërbimit të medias ose një person tjetër nën drejtimin dhe në emër të ofruesit të shërbimit të medias.

24/2. “Bashkëprodhimi”, është një prodhim ose publikim i përbashkët i ofruesve të shërbimeve mediatike ose ofruesit të shërbimit mediatik dhe një prodhuesi të pavarur.”.

6. Pas pikës 26 shtohen pikat 26/1 dhe 26/2, me këtë përmbajtje:

“26/1. “Publikimi elektronik”, nënkupton faqe interneti me përmbajtje të formësuar editoriale dhe/ose portale që përmbajnë versione elektronike të medias së shkruar dhe/ose informacione mediatike të ofruara për publikun, me qëllim argëtimin, informimin dhe edukimin. Publikimet elektronike të bëra nga individë, të cilat nuk kanë përmbajtje të formësuar editoriale dhe nuk kanë qëllim edukimin, argëtimin, apo informimin për publikun, nuk konsiderohen publikime elektronike në kuptim të këtij ligji.

26/2. “Media elektronike”, është program ose përmbajtje programi audio dhe audioviziv, përmbajtje programi e ofruar për publikun, nëpërmjet mjeteve elektronike të komunikimit dhe përmbajtje e publikimeve elektronike.”.

7. Pas pikës 53 shtohen pikat 54 dhe 55, më këtë përmbajtje:

 “54. “Regjistri i Ofruesve të Shërbimeve Mediatike”, është një regjistër kombëtar ku regjistrohen ofruesit e shërbimeve audio, audiovizive dhe ofruesit e publikimeve elektronike.

55. “Përmbajtje e programit”, janë informacionet, idetë, shprehje mendimesh si dhe vepra të autorësisë në formë audio (në vijim referuar si përmbajtje audio), ose në formën e imazheve të lëvizshme, me ose pa tinguj (në vijim referuar si përmbajtje audiovizive) që përbën një element individual brenda një liste apo katalogu të krijuar nga ofruesi i shërbimit, i cili bëhet i disponueshëm për publikun përmes mediave elektronike me qëllim për të informuar, argëtuar, edukuar.”.

Neni 5

Në nenin 4 bëhen këto ndryshime:

1. Titulli i nenit 4 ndryshohet, si më poshtë vijon:

“Parimet themelore të veprimtarisë së ofruesve të shërbimeve mediatike”.

2. Në pikën 2, të nenit 4, fjala “… audioviziv …” zëvendësohet me fjalët “… të medias elektronike …”.

Neni 6

Pas nenit 4 shtohet neni 4/1, me këtë përmbajtje:

“Neni 4/1.

Interpretimi i ligjit

1. Dispozitat e këtij ligji nuk mund të interpretohen në mënyrë të tillë që të japin të drejtën për të censuruar apo kufizuar të drejtën për lirinë e fjalës ose lirinë e shprehjes.

2. Ky ligj interpretohet dhe zbatohet në përputhje me parimet e Konventës Evropiane për Mbrojtjen e të Drejtave të Njeriut dhe Lirive Themelore, sikurse zbatohet në praktikat ligjore të Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut.”.

Neni 7

Titulli i kreut II ndryshohet, si më poshtë vijon:

“Autoriteti i Mediave Shqiptare (AMA)”.

Neni 8

Në nenin 6 bëhen këto ndryshime:

1. Pika 1, ndryshohet, si më poshtë vijon:

“1. AMA është autoriteti rregullator në fushën e shërbimeve të transmetimeve audio dhe audiovizive, shërbimeve të tjera mbështetëse të tyre, si dhe shërbimeve të medias elektronike në territorin e Republikës së Shqipërisë”.

2. Pas pikës 3 shtohet pika 4, me këtë përmbajtje:

“4. Organet vendimmarrëse të AMA-s janë Bordi dhe Këshilli i Ankesave.”.

Neni 9

Kudo në tekstin e këtij ligji bëhen këto ndryshime:

1. Fjalët “Kryetari i AMA-s” dhe “Kryetarit të AMA-s” zëvendësohen me fjalët “Kryetari i Bordit të AMA-s” dhe “Kryetarit të Bordit të AMA-s”;

2. Fjalët “Zëvendëskryetari i AMA-s” zëvendësohet me fjalët “Zëvendëskryetari i Bordit të AMA-s”;

3. Fjalët “anëtarët e AMA-s” dhe “anëtari i AMA-s” zëvendësohen me fjalët “anëtarët e Bordit të AMA-s” dhe “ anëtari i Bordit të AMA-s”.

Neni 10

Në nenin 8 bëhen këto ndryshime:

1. Titulli i nenit 8 ndryshohet, si më poshtë vijon:

“Përbërja e Bordit të AMA-s”

Neni 11

Në nenin 9 bëhen këto ndryshime:

1. Titulli i nenit 9 ndryshohet, si më poshtë vijon:

“Zgjedhja e anëtarëve të bordit të AMA-s”;

2. Në nenin 9, kudo në tekst, para fjalëve “AMA-s”, të vendosen fjalët “Bordit të” .

Neni 12

Në nenin 13 bëhen këto ndryshime:

1. Titulli i nenit 13 ndryshohet, si më poshtë vijon:

“Kuoromi dhe vendimmarrja e Bordit të AMA-s”

2. Në nenin 13 kudo në tekst, fjalët “mbledhjet e AMA-s” dhe “vendimet e AMA-s zëvendësohen me fjalët “mbledhjet e Bordit të AMA-s” dhe “vendimet e Bordit të AMA-s”.

Neni 13

Në nenin 18 bëhen këto ndryshime dhe shtesa:

1. Në pikën 1 bëhen këto ndryshime dhe shtesat e mëposhtme:

a) Në shkronjën “a”, fjala “… audiovizive …” zëvendësohet me fjalët “… mediatike, të cilat janë në fushën e veprimit të këtij ligji …”.

b) Në shkronjën “c”, pas fjalës “… shërbimeve …” shtohen fjalët “… mediatike, të cilat janë në fushën e veprimit të këtij ligji …”.

2. Në pikën 2 bëhen shtesat, me këtë përmbajtje:

a) Në shkronjën “a”, pas fjalës “… programeve …” shtohen fjalët “… dhe publikimeve …”.

b) Pas shkronjës “dh” shtohet shkronja “e”, me këtë përmbajtje:

“e) nxitjen e përmbajtjes së përgjegjshme në publikimet elektronike dhe nxitjen e zbatimit të një Kodi Etike ndërmjet operatorëve dhe ofruesve të këtyre shërbimeve në këtë drejtim.”.

Neni 14

Në nenin 19 bëhen ndryshimet dhe shtesat, si më poshtë vijon:

1. Në pikën 1 bëhen ndryshimet dhe shtesat e mëposhtme:

a) Shkronja “h” ndryshohet, si më poshtë vijon:

“h) zgjidhja e mosmarrëveshjeve ndërmjet ofruesve të shërbimeve të transmetimeve audio ose audiovizive, përfshirë mosmarrëveshjet me transmetuesin publik dhe mosmarrëveshjet ndërmjet subjekteve fizike/juridike dhe ofruesve të shërbimeve mediatike;”.

b) Shkronja “j” ndryshohet, si më poshtë vijon:

“j) bashkëpunimi dhe këshillimi me Autoritetin Kombëtar të Certifikimeve Elektronike dhe Sigurinë Kompjuterike (AKCESK), AKEP-in, Autoritetin e Konkurrencës, autoritetin përgjegjës për mbrojtjen nga diskriminimi, autoritetin përgjegjës për të drejtën e informimit dhe mbrojtjen e të dhënave personale, autoritetin përgjegjës për mbrojtjen e të drejtave të fëmijëve, autoritetin përgjegjës për mbrojtjen e të drejtave të autorit dhe të drejtave të tjera të lidhura me të si dhe organet e tjera në përmbushjen e detyrimeve të përcaktuara në këtë ligj;”.

c) Pas shkronjës “j” shtohen shkronjat “k” dhe “l”, me këtë përmbajtje:

“k) miraton rregulloren e organizimit dhe të funksionimit të Këshillit të Ankesave (në vijim referuar si KA), ku përcaktohen rregulla specifike për trajtimin e ankesave të parashtruara pranë KA-së së bashku me përcaktimin e kritereve të qarta për zbatueshmërinë e sanksioneve të parashikuara nga ky ligj, me qëllim respektimin e parimit të proporcionalitetit.

l) administron dhe përditëson Regjistrin e Ofruesve të Shërbimeve Mediatike;”.

2. Në pikën 2 bëhen këto ndryshime:

a) Në shkronjën “a”, fjalët “… mediave audiovizive …” zëvendësohen me fjalën “ … transmentimit …”.

b) Shkronja “b” ndryshohet, si më poshtë vijon:

“b) mbikëqyr zhvillimin e veprimtarisë së medias elektronike në nivel kombëtar dhe ndërkombëtar;”.

c) Në shkronjën “c”, fjalët “… mediave audiovizive …” zëvendësohen me fjalën “ … medias elektronike…”.

ç) Në shkronjën “ç”, fjalët “… mediave audiovizive, …” zëvendësohen me “… mediave elektronike …”.

3. Pika 3 ndryshohet, si më poshtë vijon:

“3. AMA mbikëqyr zbatimin e këtij ligji nga subjektet që ushtrojnë veprimtari në fushën e mediave elektronike dhe, në rast shkeljesh, vendos sanksione.”.

4. Pika 8 ndryshohet, si më poshtë vijon:

“8. AMA jep mendim për veprimtarinë e medias elektronike në përgjithësi, dhe në mënyrë të veçantë për perspektivën e veprimtarisë së mediave audiovizive, sipas kërkesës, apo kryesisht.”.

5. Pika 10 ndryshohet, si më poshtë vijon:

“10. AMA merr pjesë në veprimtari ndërkombëtare, në lidhje me strategjinë dhe perspektivat e zhvillimit të mediave audiovizive në veçanti dhe shërbimeve të medias elektronike në përgjithësi, duke përfaqësuar Republikën e Shqipërisë dhe mbështet pjesëmarrjen dhe bashkëpunimin e subjekteve, publike e private, me organizata homologe evropiane dhe botërore. AMA përgatit studime me rekomandime për qëndrimin e Republikës së Shqipërisë në bisedimet ndërkombëtare zyrtare mbi median elektronike.”.

Neni 15

Në nenin 20 bëhen këto ndryshime:

1. Pika 1, ndryshohet si më poshtë vijon:

“1. Këshilli i Ankesave është organ kolegjial vendimmarrës, i cili përzgjidhet nga Bordi i AMA-s me shumicë të cilësuar dhe përbëhet nga kryetari dhe katër anëtarë, specialistë të fushës së medias dhe juriste, të cilët emërohen për një periudhë 3-vjeçare, me të drejtë riemërimi jo më shumë se një herë. Procedurat e përzgjedhjes së anëtarëve të Këshillit të Ankesave, që bazohen në rregullat e konkurueshmërisë, dhe rregullorja e organizimit dhe funksionimit të tij përcaktohen me vendim të Bordit të AMA-s”.

2. Pika 2 ndryshohet, si më poshtë vijon:

“2. Objekti i punës së Këshillit të Ankesave është mbikëqyrja e zbatimit të parashikimeve të këtij ligji, atyre të Kodit dhe rregulloreve të miratuara nga AMA, që kanë të bëjnë me respektimin e dinjitetit dhe të të drejtave themelore të njeriut.”.

3. Në pikën 3 bëhen këto shtesa dhe ndryshime:

a) Në shkronjën “a”, pas fjalës “… OSHMA-të…” shtohet “… OSHPE-të …”.

b) Shkronja “b” ndryshohet, si më poshtë vijon:

“b) të shqyrtojë ankesat sipas neneve 51, 51/1, 52, 53 dhe 53/1, të këtij ligji.”.

4. Pas pikës 3 shtohet pika 3/1, me këtë përmbajtje:

“3/1. Vendimet e Këshillit të Ankesave sipas  pikës  3/b të këtij neni ankimohen në Bordin e AMA-sipas parashikimeve të këtij ligji.”.

5. Vendimet e Bordit të AMA ankimohen në Gjykatën Administrative të Shkallës së Parë Tiranë.

Neni 16

Pas shkronjës “dh”, të pikës 2, të nenit 21, shtohen shkronjat “e” dhe “ë”, me këtë përmbajtje:

“e) të marrë masa dhe veprime për të nxitur lirinë e medias në përputhje me rregullat dhe detyrimet etike.

ë) të nxisë vetërregullimin e medias.”.

Neni 17

Në nenin 22 bëhen këto shtesa dhe ndryshime:

1. Në pikën 2, pas fjalëve “… transmetimi audioviziv …” shtohen “… së bashku me publikimin elektronik …”.

2. Në pikën 4, fjalët “… transmetimet audio dhe/ose audiovizive …” zëvendësohen me “… shërbimet e medias elektronike …”.

Neni 18

Në pikën 1, të nenit 23, pas shkronjës “ç” shtohen shkronjat “d” dhe “dh”, me këtë përmbajtje:

“d) mbikëqyr zbatimin e të drejtave dhe detyrimeve që rrjedhin nga dispozitat e këtij ligji.

dh) mban dhe publikon Regjistrin e Ofruesve të Shërbimeve Mediatike.”.

Neni 19

Neni 30 ndryshohet, si më poshtë vijon:

“Neni 30

Ofruesit e shërbimeve mediatike në juridiksionin e Republikës së Shqipërisë

1. Ofruesi i shërbimit të medias që është nën juridiksionin e Republikës së Shqipërisë është i detyruar të respektojë rregullat që zbatohen për shërbimet e medias në Republikën e Shqipërisë.

2. Ofruesi i shërbimit të medias konsiderohet nën juridiksionin e Republikës së Shqipërisë nëse:

a) është themeluar në Republikën e Shqipërisë;

b) nuk është themeluar në Republikën e Shqipërisë, por:

i. përdor një stacion transmetimi satelitor tokësor që ndodhet në Republikën e Shqipërisë; dhe/ose

ii. përdor kapacitetin satelitor që i përket Republikës së Shqipërisë;

iii. përdor domain-et e administruara nga AKEP-i.

3. Ofruesi i shërbimit të medias konsiderohet, gjithashtu, nën juridiksionin e Republikës së Shqipërisë nëse:

a) zyra ose struktura e saj e menaxhimit është në territorin e Republikës së Shqipërisë dhe vendimmarrja editoriale realizohet brenda këtij territori;

b) zyra ose struktura e saj e menaxhimit është në territorin e Republikës së Shqipërisë, por vendimmarrja editoriale për shërbimet e medias bëhet në një vend të BE-së, konsiderohet se ofruesi i shërbimit të medias është nën jurisdiksionin e Republikës së Shqipërisë, me kusht që pjesa më e madhe e personelit të angazhuar në aktivitetet e shërbimeve mediatike të operojë në Shqipëri;

c) një pjesë e konsiderueshme e stafit të angazhuar në aktivitetet e shërbimeve të medias vepron në Republikën e Shqipërisë dhe në një vend të BE-së, ofruesi i shërbimit të medias konsiderohet të jetë i vendosur në Republikën e Shqipërisë, nëse selia e tij ndodhet në Republikën e Shqipërisë;

ç) një pjesë e konsiderueshme e personelit në aktivitetet e shërbimeve mediatike nuk operon as në Shqipëri as në një shtet anëtar të BE-së, ofruesi i shërbimit të medias konsiderohet të jetë i vendosur në Republikën e Shqipërisë, nëse aktiviteti i tij filloi për të parën herë në këtë vend, në përputhje me legjislacionin shqiptar, me kusht që ai të mbajë marrëdhënie të qëndrueshme dhe efikase me ekonominë shqiptare;

d) interesat e saj fitimprurëse kryesore lidhen me subjektet tregtare të themeluara sipas ligjit shqiptar ose që veprojnë në territorin e Republikës së Shqipërisë;

dh) mbi 50% e përdoruesve/ndjekësve/abonentëve janë rezidentë të Republikës së Shqipërisë;

e) komunikimi/publikimi i tij i parë ndaj publikut të gjerë po bëhet në Shqipëri/për Shqipërinë.

4. Dispozitat e këtij ligji zbatohen edhe për ato shërbime të medias që, edhe pse nuk përfshihen në pikat 2 e 3, të këtij neni:

a) përdorin një lidhje satelitore nga territori i Republikës së Shqipërisë;

b) nuk përdorin lidhje satelitore nga territori i Republikës së Shqipërisë, por përdorin hapësirën transmetuese satelitore dhe burimet që i përkasin Republikës së Shqipërisë.

5. Kur një ofrues i shërbimit të medias elektronike ka selinë në Republikën e Shqipërisë, por vendimet për shërbimet e kësaj media bëhen në një vend të tretë ose anasjelltas, ofruesi konsiderohet të jetë i vendosur në Republikën e Shqipërisë, me kusht që shumica e stafit/fuqisë punëtore të angazhuar në aktivitetet e shërbimeve të medias funksionon në Republikën e Shqipërisë.

6. Nëse juridiksioni nuk mund të përcaktohet sipas pikave 2 deri 6, të këtij neni, shteti anëtar kompetent është ai në të cilin ndodhet OSHMA-ja, në kuptim të neneve 49 dhe 50, të Marrëveshjes së Stabilizim-Asociimit ndërmjet Republikës së Shqipërisë dhe BE-së e shteteve anëtare të saj.

7. Në datën e anëtarësimit të Republikës së Shqipërisë në Bashkimin Evropian, çështja e juridiksionit, në përputhje me pikën 6, të këtij neni, do të zgjidhet në përputhje me nenet 49 deri 55, të Traktatit për Funksionimin e Bashkimit Evropian.”.

Neni 20

Në nenin 31 bëhen këto ndryshime dhe shtesa:

1. Titulli i nenit 31 ndryshohet, si më poshtë vijon:

“Llojet e ofruesve të shërbimeve mediatike”.

2. Pas pikës 2 shtohet pika 3, me këtë përmbajtje:

“3. Në përputhje me mënyrën e komunikimit me publikun e gjerë, ofruesit e shërbimeve të medias së shkruar janë, si më poshtë vijon:

a) Shtypi i shkruar;

b) Publikimet elektronike.”.

Neni 21

Në shkronjën “ë”, të pikës 1, të nenit 33, pas fjalëve “… të drejtat e autorit …” shtohen fjalët “ … transmetimit, ritransmetimit …”.

Neni 22

Pas nenit 33 shtohen nenet 33/1 dhe 33/2, me këtë përmbajtje:

“Neni 33/1

Detyrimet e OSHPE-ve

1. Ofruesi i shërbimit të publikimit elektronik duhet të bëjë lehtësisht të aksesueshëm, në mënyrë direkte dhe të përhershme për publikun e gjerë, të paktën, informacionin e mëposhtëm:

a) Emrin e ofruesit të shërbimit;

b) Vendndodhjen e zyrave qendrore ose vendqëndrimin e ofruesit të shërbimit, adresën e tij elektronike ose atë të faqes së internetit;

c) Organin kompetent të ofruesit të shërbimit.

2. Një ofrues i shërbimeve të publikimeve elektronike duhet të publikojë paralajmërim të përshtatshëm për përmbajtjen e publikimeve, të cilat mund të dëmtojnë zhvillimin fizik, shëndetësor, moral, mendor, intelektual, emocional dhe social të të miturve.

3. E drejta e korrigjimit dhe e përgjigjes ndaj informacionit të publikuar, nëpërmjet një ofruesi të shërbimeve të publikimeve elektronike, do të ushtrohet në përputhje me këtë ligj.

4. Ofruesi i shërbimit të publikimeve elektronike nuk duhet të nxisë, të shtojë nxitjen ose të përhapë urrejtje apo diskriminim në bazë të racës, prejardhjes etnike, ngjyrës së lëkurës, gjinisë, gjuhës, fesë, prejardhjes kombëtare ose sociale, gjendjes financiare, arsimit, statusit social, gjendjes martesore ose familjare, moshës, gjendjes shëndetësore, paaftësisë, trashëgimisë gjenetike, identitetit gjinor apo orientimit seksual.

5. Publikimi i informacionit që zbulon identitetin e të miturit nën moshën 18 vjeç, i përfshirë në çdo rast të dhunës, pa marrë parasysh nëse është dëshmitar, viktimë, i dyshuar apo i dënuar, ose zbulimin e ndonjë veçantie të marrëdhënieve familjare dhe jetës private të një fëmije, ndalohet.

Neni 33/2

Regjistrimi i ofruesve të shërbimit të publikimeve elektronike

Një person fizik a juridik, i cili ofron shërbime të publikimeve elektronike, do të aplikojë tek AMA për regjistrimin dhe përditësimin e të dhënave të tij në Regjistrin e Ofruesve të Shërbimeve Mediatike. Ky regjistrim nuk është parakusht për të ofruar shërbimin.”.

Neni 23

Pas nenit 37 shtohet neni 37/1, me këtë përmbajtje:

“Neni 37/1

Regjistri i Ofruesve të Shërbimeve të Medias Elektronike

1. AMA mban, administron dhe publikon një regjistër të ofruesve të shërbimit të medias, të licencuar, të autorizuar ose jo.

2. Përmbajtja e aplikimit të referuar në nenin 33\2 dhe mënyra e mbajtjes së regjistrit të përditësuar miratohen nga AMA. Regjistri sipas pikës 1, të këtij neni, përmban, në veçanti:

a) emrin e shërbimeve të medias;

b) emrin e ofruesit të shërbimit të medias dhe informacion për shërbimin e ofruar;

c) numrin dhe datën e lëshimit të licencës, arsyet për ofrimin e shërbimeve nëse ofrohet pa asnjë detyrim për të marrë autorizim ose licencë;

ç) llojin e shërbimeve të medias, në përputhje me këtë ligj;

d) periudhën për të cilën lëshohet autorizimi apo licenca;

dh) të dhëna për personin përgjegjës të ofruesit të shërbimit të medias elektronike;

e) informacion rreth masave të vendosura ndaj ofruesit të shërbimit të medias elektronike.

3. Pas mbarimit të afatit të parashikuar në licencën apo autorizimin e lëshuar, AMA kryesisht ose me kërkesë nga subjekti i interesuar fshin nga regjistri ofruesin e shërbimeve të medias elektronike dhe njofton autoritetet përgjegjëse, të cilat kanë informuar AMA-n lidhur me këtë subjekt.

4. Ofruesit e shërbimeve të medias elektronike, që nuk janë regjistruar në këtë regjistër ose që nuk i kanë përditësuar të dhënat në përputhje me rregullat e përcaktuara nga AMA, nuk përfitojnë lehtësira fiskale apo të ndonjë lloji tjetër.”.

Neni 24

Pas pikës 6, të nenit 42, shtohet pika 6/1, me këtë përmbajtje:

“6/1. Të gjitha format e komunikimeve me natyrë tregtare në transmetimet audiovizive dhe publikimet elektronike për lojërat e fatit, bastet sportive, kazinotë dhe bingot televizive, janë të ndaluara.”.

Neni 25

Pas nenit 51 shtohet neni 51/1, me këtë përmbajtje:

“Neni 51/1

Procedurat për trajtimin dhe shqyrtimin e ankesave

1. OSHPE-ja ka detyrimin të shqyrtojë çdo ankesë të arsyetuar të paraqitur me shkrim nga çdo person për programet e publikuara prej tij, lidhur me zbatimin e kërkesave të nenit 33/1, të këtij ligji.

2. Ankesa i paraqitet OSHPE-së jo më vonë se 30 (tridhjetë) ditë nga data e publikimit/transmetimit të përmbajtjes, ose në rastin e dy ose më shumë publikimeve të lidhura me njëra-tjetrën, nga data e publikimit/transmetimit më të fundit.

3. Personi që pretendon shkeljen, ka të drejtë t’i kërkojë ofruesit të shërbimit të publikimit elektronik, duke paraqitur arsyet dhe faktet që mbështesin kërkesën, heqjen e përmbajtjes.

4. Ofruesi i shërbimit të publikimit elektronik, brenda 72 orësh nga marrja e ankesës, shqyrton ankesën dhe  informon ankuesin.

5. Nëse OSHPE-ja refuzon ankesën ose nuk kthen përgjigje brenda 72 orësh nga marrja e saj, personi ka të drejtë të ankohet pranë Këshillit të Ankesave. Këshilli i Ankesave, brenda 72 orësh nga depozitimi/paraqitja e ankesës, vendos mbi ankesën përkatëse ose nga paraqitja e pretendimeve të OSHPE-së në rastet e zbatimit të pikës 6, të këtij neni.

6. Këshilli i Ankesave, kur e çmon të nevojshme, ia kalon ankesën e paraqitur OSHPE-së për të paraqitur pretendimet e veta brenda 48 orësh.

7. Pas shqyrtimit të ankesës dhe/ose pretendimeve të OSHPE-së, Këshilli i Ankesave, nëse çmon se ka shkelje, merr masat përkatëse, duke përfshirë sanksionet në përputhje me këtë ligj. Në çdo rast, Këshilli i Ankesave njofton me shkrim personin që ka paraqitur ankesën dhe OSHPE-në përkatëse mbi konkluzionet dhe masat.

8. OSHPE-ja publikon konkluzionin e Këshillit të Ankesave, kur ky konkluzion është në favor të personit që ka kryer ankesën, brenda 48 orësh nga marrja e njoftimit, në mënyrë të njëjtë me atë të publikimit, kundrejt të cilit është bërë ankesa.”.

9. Vendimet e Këshillit të Ankesave sipas këtij neni ankimohen në Bordin e AMA-s sipas parashikimeve të këtij ligji.Vendimet e Bordit të AMA ankimohen në Gjykatën Administrative të Shkallës së Parë Tiranë.

Neni 26

Në nenin 52 bëhen këto ndryshime:

1. Në pikën 3, numri “ … 7 … ” zëvendësohet me “ … 3 …”.

2. Në pikën 6, pas fjalëve “… periudhë sa më të shkurtër …” shtohen fjalët “ … por jo më vonë se 5 ditë …”.

Neni 27

Në nenin 53, pika 15 ndryshon si më poshtë vijon:

“15. Vendimi i AMA-s mund të kundërshtohet në Gjykatën Administrative, Tiranë.

Neni 28

Pas nenit 53 shtohet neni 53/1, me këtë përmbajtje:

“Neni 53/1

E drejta e përgjigjes për OSHPE-të

1. Çdo person, reputacioni i të cilit është cënuar drejtpërdrejt nga publikimi i fakteve dhe informacioneve të pavërteta dhe/ose të pasakta prej OSHPE-së, ka të drejtën e përgjigjes.

2. Personi, që ka të drejtën e përgjigjes, duhet të paraqesë një kërkesë me shkrim, drejtuar ofruesit të shërbimit të publikimit elektronik duke parashtruar arsyet dhe faktet që mbështetin kërkesën e tij.

3. Kërkesa për të drejtën e përgjigjes duhet të paraqitet tek OSHPE-ja, brenda 10 (dhjetë) ditëve nga publikimi i fakteve dhe informacioneve që pretendohen të pavërteta dhe/ose të pasakta.

4. Brenda 48 orëve nga marrja e kërkesës, OSHPE-ja vendos për ushtrimin ose refuzimin e së drejtës së përgjigjes dhe për këtë njofton me shkrim kërkuesin.

5. Ofruesi i shërbimeve të publikimeve elektronike, nëse vendos për ushtrimin e së drejtës, publikon përgjigjen e çdo personi që është cënuar/përmendur nga publikimi, pa kosto financiare për personin e cënuar/përmendur. Përgjigjja duhet të publikohet e plotë, e dukshme dhe në të njëtën faqe ku është publikuar materiali që kontestohet. Nëse publikimi hiqet nga faqja/portali përpara se përgjigjja e personit të cënuar/përmendur të publikohet, përgjigjja duhet të jetë e vendosur në një pozicion të krahasueshëm dhe për të njëjtën kohëzgjatje si publikimi i mëparshëm.

6. Ofruesit e shërbimeve të publikimeve elektronike nuk kanë detyrim të publikojnë përgjigjen siç parashikohet në pikën 1, të këtij neni, nëse:

a) pala e cënuar/përmendur nuk ka interes të ligjshëm për të dhënë përgjigje;

b) përgjigjja në mënyrë të papërshtatshme tejkalon shkallën e pohimit të fakteve që kontestohen;

c) përgjigjja nuk kufizohet vetëm në informacion faktik ose përfshin përmbajtje që kanë të bëjnë me ndjekjen e një procedure penale.

Ofruesit e shërbimeve të publikimeve elektronike nuk kanë detyrim të publikojnë përgjigjen për lajmin/informacionin e kontestuar në lidhje me raportimet direkte në sesionet e hapura të organeve të Kuvendit dhe organeve të tjera shtetërore.

7. Nëse kërkuesi nuk merr një përgjigje brenda afatit të përcaktuar në pikën 3, të këtij neni, prezumohet se OSHPE-ja ka refuzuar kërkesën.

8. Këshilli i Ankesave, brenda 72 orësh nga paraqitja e një ankese për refuzimin e së drejtës së përgjigjes nga një OSHPE, shqyrton çështjen dhe, nëse e gjen të drejtë ankesën e bërë, i kërkon OSHPE–së, korrigjimin e fakteve dhe informacioneve, në lidhje me personin e interesuar, në një mënyrë të ngjashme dhe kohë të njëjtë me atë të publikimit, objekt ankese, brenda 48 orëve nga marrja e njoftimit:

a) në fillim të procedurës së shqyrtimit të ankesës, Këshilli i Ankesave i kërkon OSHPE-së, të cilit i adresohet ankesa, dhënien e shpjegimeve në lidhje me këtë ankesë.

b) Këshilli i Ankesave i dërgon ankuesit dhe OSHPE-së përkatëse konkluzionet e arsyetuara për rastin.

9. Këshilli i Ankesave mund të refuzojë një ankesë kur:

a) vlerëson se ajo është abuzive dhe e pabazuar apo e bërë në keqbesim;

b) e drejta e kërkuar për përgjigje është opinion personal i personit dhe nuk ka të bëjë me rregullimin e ndonjë lajmi me karakter fakti apo informacioni;

c) e drejta e kërkuar për përgjigje përmban parashtrimin e fakteve dhe informacioneve të rreme;

ç) e drejta e kërkuar për përgjigje është bërë për të kërkuar parandalimin e veprimeve të pritshme apo që nuk kanë ndodhur ende;

d) përmbushja e së drejtës për përgjigje përfshin një ndëshkim, kapërcen rregullat e mirësjelljes apo sjell dënimin e ofruesit të shërbimit mediatik në një proces gjyqësor civil;

dh) personi i dëmtuar nga informacioni i kundërshtuar nuk ka interes të ligjshëm në momentin e kërkesës për ushtrimin e së drejtës së përgjigjes;

e) përmbajtja e publikimit të kundërshtuar përmban thënie apo deklarime të personit të cënuar, që konsiderohen të barasvlershme me vetë përgjigjen e kërkuar ose kur personi ka dhënë pëlqimin paraprak në një mënyrë formale lidhur me përmbajtjen e publikimit;

ë) një korrigjim i barasvlershëm i të dhënave të informacionit të kundërshtuar është bërë paraprakisht dhe për këtë është njoftuar personi i cënuar;

f) përmbajtja e përgjigjes së kërkuar dhunon të drejtat e një pale të tretë;

g) çështja objekt ankese lidhet me thëniet gjatë veprimtarive parlamentare, zhvillimit të seancave gjyqësore apo transmetimit të veprimtarive të subjekteve politike;

gj) publikimi i së drejtës për përgjigje nuk është në interes të publikut;

h) kërkesa është paraqitur në tejkalim të afatit.

10. Vendimet e Këshillit të Ankesave sipas këtij neni ankimohen në Bordin e AMA-s sipas parashikimeve të këtij ligji.Vendimet e Bordit të AMA ankimohen në Gjykatën Administrative të Shkallës së Parë Tiranë.

Neni 29

Neni 132 ndryshohet, si më poshtë vijon:

“Neni 132

Masat për shkeljet

1. Në rastet e shkeljes së dispozitave të këtij ligji, në përputhje me procedurat dhe parashikimet e këtij ligji dhe akteve nënligjore të tij, pas marrjes se mendimeve të organeve përgjegjëse, nëse parashikohen, AMA ( Bordi dhe/ose KA) vendos:

a) detyrimin e ofruesit të shërbimit të medias:

i. për të publikuar formulën e korrigjimit sipas formës dhe përmbajtjes së parashikuar në nenin 53/1 të këtij ligji;

ii. për të kërkuar nëpërmjet AKEP-it vendosjen e një njoftimi të karakterizuar teknikisht si “pop up”;

b) gjobë, shuma e së cilës përcaktohet në përputhje me parashikimet e këtij ligji dhe të akteve nënligjore të tij;

c) pezullim të përkohshëm të licencës dhe/ose autorizimit për ofruesit e shërbimeve audio dhe audiovizive;

ç) uljen e kohëzgjatjes së vlefshmërisë së licencës dhe/ose autorizimit për ofruesit e shërbimeve audio dhe audiovizive;

d) heqje të licencës dhe/ose autorizimit për ofruesit e shërbimeve audio dhe audiovizive.

2. AMA në vendimin e saj merr në konsideratë masën dhe kohëzgjatjen e shkeljes së kryer sipas rregullave të përcaktuara në shkronjën “k” të paragrafit 1 të nenit 19 të këtij ligji.

3. AMA vendos sanksione të parashikuara në këtë ligj jo më vonë se një vit nga data e kryerjes së shkeljes.

4. Kur AMA vëren shkelje të dispozitave ligjore, për të cilat me ligj vendosin sanksione organet e tjera shtetërore, atëherë ajo njofton këto të fundit.

5. Nw lidhje me përmbajtet e publikuara nga OSHPE-të, AMA vendos si më poshtë:

a) urdheron heqjen e përmbajtjes ose pengon aksesin në përmbajtjen qw dyshohet se, sipas parashikimeve të legjislacionit penal në fuqi, pwrbwn veprwn penale si mëposhtw:

i. Pornografi me fëmijë;

ii. Vepra me qëllime terroriste;

iii. Shkelje të sigurisë kombëtare;

b) vendosë, një njoftim “pop up” në faqen e internetit/domain-in e portalit i cili përmban informacion mbi vendimet e organeve vendimmarrëse të AMA-s.

c) AMA do të marrë vendim mbi bazën e një kërkese me shkrim nga AKCESK ose autoriteti kompetent. Këto kërkesa pwrbwjnw vlerësimin për dyshimin e kryerjes së një vepre penale. AMA do të vendosë cila është masa më e përshtatshme për të shmangur ndikimin negative të shpërndarjes së përmbajtjes së dyshuar kriminale.

AMA do të duhet të zbatojë masën që ka ndikimin më të vogël mbi të drejtën e lirisë së shprehjes në përputhje me parimet e domosdoshmërisë dhe proporcionalitetit. Në çdo rast, vendimi duhet të tregojë një afat kohor të vlefshmërisë. AMA duhet të garantojë sa më shumë që të jetë e mundur që vendimet për heqjen e përmbajtjes të prekin vetëm pjesët e përmbajtjes që dyshohet si vepër penale dhe që pjesa tjetër e përmbajtjes së publikuar nga ofruesi të mbetet online. Vendimi i AMA do t’i komunikohet AKEP për zbatim.

d) Me pwrjashtim tw rasteve kur interesi publik e kwrkon ndryshe, para marrjes sw vendimit AMA dwgjon OSHPE-në e prekur nga masa e propozuar dhe, nëse e nevojshme apo e mundur, autorin e pjesës së përmbajtjes të dyshuar. Në çdo rast, vendimet e AMA-s në këtë drejtim, mund të ankimohen në gjykatën kompetente menjëherë pas miratimit të tyre. Gjykata kompetente do të vendosë nëse do të pezullojë ose do ta mbajë në fuqi vendimin e AMA-s gjatë procedurës së ankimimit.

d) Në rast se ka arsye bindëse qe ka interes publik për të proceduar ndryshe, para miratimit të vendimit të saj, AMA do të dëgjojë OSHPE-në e prekur nga masa e propozuar dhe, nëse është e mundur, autorin e përmbajtjes së dyshuar. Në çdo rast, vendimet e AMA-s mund të ankimohen ne gjykaten kompetente menjëherë pas miratimit të tyre. Gjykata kompetente do të vendosë nëse do të pezullojë ose do ta mbajë në fuqi vendimin e AMA-s gjatë procedures se ankimimit.

6. Subjekti i ndëshkuar mund të bëjë ankim pranë Bordit të AMA-s brenda 30 ditëve nga data e shpalljes ose e njoftimit të vendimit të KA-së për vendimet sipas parashikimeve të këtij ligji. Ankimi ndaj vendimit të KA-së nuk pezullon ekzekutimin e vendimit. Bordi i AMA-s shqyrton ankesën dhe shpall vendimin jo më vonë se 10 ditë. Kundër vendimit të Bordit të AMA-s mund të bëhet ankim në Gjykatën e Administrative të Shkallës së Parë Tiranë.

7. Vendimet e AMA-s ekzekutohen nga shërbimi përmbarimor, sipas dispozitave të Kodit të Procedurës Civile. AMA nuk ka detyrim të parapaguajë taksën apo tarifën për shërbimin përmbarimor.

8. Vendimet e KA-së së AMA-s do të ekzekutohen nga Shërbimi i Përmbarimit Gjyqësor, në përputhje me dispozitat e Kodit të Procedurës Civile. AMA nuk ka detyrim të parapaguajë tarifën ose tarifën për shërbimin përmbarimor.”.

Neni 30

Në nenin 133 bëhen këto ndryshime:

1. Fjalia e parë ndryshohet, si më poshtë vijon:

“Shkeljet e mëposhtme, të kryera nga OSHMA-ja dhe OSHPE-ja, kur ato nuk përbëjnë vepër penale përbëjnë kundërvajtje administrative dhe dënohen, si më poshtë:”

2. Pika 1 ndryshohet, si më poshtë vijon:

1. Me gjobë:

a) nga 100 000 Lekë deri në 1 000 000 Lekë në rastet kur OSHMA-të shkelin detyrimet e parashikuara në nenin 33 dhe 37 të këtij ligji;

b) nga 100 000 Lekë deri në 600 000 Lekë në rastet kur OSHPE-të shkelin detyrimet e parashikuara në nenin 33/1 të këtij ligji;

c) Nga 40 000 Lekë deri në 800 000 Lekë kur nuk respektohet vendimi i Këshillit të Ankesave ose e drejta për përgjigje sipas parashikimeve të nenit 53/1 të këtij Ligji.

Përsëritja e shkeljes më shumë se 3 herë gjatë një viti dënohet me një rritje deri në 50% të shumës së gjobës të përmendur më lart. Në rast përsëritjeje më shumë se 5 herë gjatë vitit të kaluar, subjekti nuk do të përfitojë lehtësira fiskale apo të ndonjë lloji tjetër për një periudhë 3-vjeçare.”.

3. Pika 2 ndryshohet si më poshtë:

“2. Me gjobë nga 800 000 Lekë deri në 2 000 000 lekë, në rastet kur:

4. Në pikën 10, përpara fjalës “… inspektorët …” shtohen fjalët “… Këshilli i Ankesave …”.

5. Në fund të fjalisë së dytë, të pikës 11, shtohen fjalët, si më poshtë:

“….sipas parashikimeve të nenit 19, të këtij ligji, bazuar në parimin e proporcionalitetit.”

6. Në pikën 12, togfjalëshi “Gjykatën e Rrethit Gjyqësor ku ka selinë organi adminstrativ” zëvendësohet me togfjalëshin “Gjykatën Administrative të Rrethit Gjyqësor Tiranë”.

Neni 31

Ky ligj hyn në fuqi 15 ditë pas botimit në “Fletoren zyrtare”.

K R Y E T A R I

GRAMOZ RUÇI