Transmetuar më 17-12-2019, 18:04

Edhe pse për Shqipërinë, Bashkimi Europian nxiti realizimin e procesit të vettingut në gjyqësor dhe publikisht deklaron se është një sukses, lëvizjet e kryera në Rajon dëshmojnë për të kundërtën.

Ambasadori i Bashkimit Europian në Shkup, është shprehur kundër vettingut në organet e drejtësisë, duke marrë modelin e Shqipërisë.

Samuel Zbogar tha se situata në gjyqësor nuk është aq e keqe dhe ka mënyra të tjera që gjyqësori të përmirësohet, para së gjithash, nga brenda, dhe nuk sheh nevojë për verifikim të gjyqtarëve dhe prokurorëve.

“Pozicioni ynë për vettingun është i qartë. Unë mendoj se ne preferojmë të përdorim të gjithë elementët e tjerë për të përmirësuar gjyqësorin, i cili në fund të ditës nuk është në një situatë kaq të keqe në vend. Ka shumë mënyra për të përmirësuar gjyqësorin, para së gjithash dhe më së shumti, nga brenda. Gjyqësori duhet të vetë-rregullohet”, tha ambasadori.

Zbogar tha sot se vettingu duhet të shihet si opsioni i zgjidhjes së fundit, dhe se aktualisht nuk ka nevojë për ta prezantuar atë. Ai gjithashtu njoftoi një projekt të BE për të shqyrtuar rastet e nivelit të lartë të korrupsionit në vitin 2020.

Kryeministri Zoran Zaev tha muajin e kaluar se Maqedonia nuk mund të përdorte modelin shqiptar të Vettingut që e kishte lënë vendin pa Gjykatë Kushtetuese dhe Gjykatë të Lartë.

Megjithatë, ai i ka mëshuar idesë së një vettingu në gjyqësor për të nxjerrë nga sistemi gjyqtarët dhe prokurorët e korruptuar. Polemikat shpërthyen pas zbulimit të skandalit ku kryeprokurorja e prokurorisë speciale, Katica Janeva, kishte marrë ryshfet rreth 1 mln euro për të liruar nga akuzat një biznesmen të fuqishëm në vend.