Transmetuar më 14-12-2019, 15:04

Kryedemokrati Lulzim Basha vizitoi gjatë kësaj të shtune 50 familjet të cilat pas tërmetit të 26 nëntorit, u strehuan në kishën e Shën Mhillit në Laç, një pjesë e se cilës rrezikon të shembet:

Kisha 100 vjeçare e Shën Mhillit në Laç, prej 18 ditësh siguron ushqim dhe strehon 50 familje në oborrin e saj, për të cilat qytetarët thonë se nuk është kujdesur askush.

Kështu tha Basha, i cili shtoi se vetë ndërtesa e kishës ka pësuar dëme të mëdha dhe se edhe pse kanë kërkuar ndihmë urgjente pasi një pjesë e saj, rrezikon të shembet duke rrezikuar kështu jetën e shërbyesve të Zotit dhe të besimtarëve ende askush nuk i ka ndihmuar.

Ai shpreh mirënjohje për ekspertët që i janë përgjigjur thirrjes se opozitës për të bërë një vlerësim të gjendjes së kishës dhe se natyrisht është detyrimi i shtetit të bëjë vlerësimin dhe të japë zgjidhje për çdo objekt.

“Në këtë zonë askush përveç kishës dhe vullnetarëve nuk u ka ardhur në ndihmë fëmijëve, të moshuarve, grave dhe burrave që tërmeti dhe qeveria i ka lënë jashtë, në qiell të hapur. Tërmeti nuk i ndau njerëzit, por qeveria po i ndan. Trajtimi preferencial dhe partiak apo në bazë të miqësive, është ankesa e përditshme në çdo zonë të goditur nga tragjedia. Çdo ditë po del më qartë e më shqetësuese mënyra se si janë vlerësuar objektet. Vlerësime të ndryshme për një objekt, verifikime me mjete qesharake nga punonjës te administratës pa asnjë kualifikim, janë kthyer në kambanë alarmi për rrezikun që u kanoset banorëve në qindra banesa”, shprehet Basha.

Ai thotë se është kriminale që qeveria të rrezikojë jetën e qytetarëve vetëm që të mos prekë lekët që u jep oligarkëve dhe se kjo është dhe arsyeja pse qeveria nuk angazhoi rreth 500 inxhinierë me eksperiencë për të kryer verifikimin e objekteve.

Për shefin e opozitës, rezultati duhet të jetë sipas interesit të qeverisë dhe jo sipas realitetit.

"Është pikërisht kjo neglizhencë kriminale që solli viktima ne Thumanë e Durrës me 26 nëntor. Nëse do të merreshin masa pas tërmetit te 21 shtatorit, shumë jetë do ishin shpëtuar. Propaganda, korrupsioni dhe paaftësia po kërcënojnë seriozisht edhe sot sigurinë e mijëra banorëve që po vuajnë edhe për bukën e gojës”, deklaron Basha. /a.y/noa.al