Transmetuar më 14-12-2019, 00:01

Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit Ardi Veliu është nisur mbrëmjen e sotme drejt Elbasanit, në vendin ku iu bë atentat dy të rinjve, njëri prej të cilëve ndërroi jetë dhe tjetri ndodhet në gjendje të rëndë.

Pas ngjarjes janë shoqëruar disa persona.

Bashkë me shefin e uniformave blu, edhe forca të shumta policie nga Tirana u nisën mbrëmjen e sotme drejt qarkut të Elbasanit.

Pasditen e sotme në fshatin Përparim, që ndodhet në aksin rrugor Elbasan-Peqin, iu bë atentat 23 vjeçarit Andi Zylyfi, i vili humbi jetën dhe mikut të tij Albert Uruçi, që mbeti i plagosur.

Për të kapur sa më shpejt autorët e ngjarjes, në ndihmë të policisë së Elbasanit FNSH dhe një grup i Posaçëm hetimor nga Departamenti i Policisë Kriminale shkuan nga Tirana në Peqin, për të mbështetur Blutë e Elbasanit dhe për të dokumentuar e zbardhur sa më shpejt ngjarjen e rëndë.

Deri tani janë shoqëruar në Polici mbi 10 persona, shumica prej tyre dëshmitarë në vendin e ngjarjes.

Policia ka bllokuar akset kryesore dhe po bën kontrolle të shumta, duke krehur zonën edhe me qen nuhatës.

Nga hetimet besohet se atentatorët kanë qenë më shumë se dy pasi janë një kohë shumë të shkurtër janë shkrehur dy karikikatorë kallashnikovi. Makina e tyre ka qenë në ecje paralel me makinën me të cilën udhëtonte viktima Zylyfi dhe shoku i tij Albert Uruçi, çka shton dyshimet se dy të rinjtë ishin ndjekur prej orësh nga e tyre.

Andi Zylyfi, 23 vjeçari, viktimë e atentatit të sotëm, është kushëri i shtetasit të vrarë një vit më parë në rrethrrotullimin e Bradasheshit, Endrit Alibej (Dylgjeri).

Endrit Alibej dhe xhaxhai i tij Arben Dylgjeri u qëlluan me breshëri plumbash një vit më parë në rrethrrotullimin e Bradasheshit. Në atë ngjarje mbeti i vdekur dhe një shtetas turk që udhëtonte me ta Erdal Durunay, ndërsa dyshohet se edhe atentati i mbrëmjes së sotme ka lidhje me ngjarjen e një viti më parë./NOA.al