Transmetuar më 13-12-2019, 23:27

Por pas një fitoreje historike, nesër bardheblutë duhet të mendojnë për trajnerin e ri.

E sigurt është se ai do të jetë një emër brenda familjes bardheblu. Do të rikthehet Ardian Mema, Augustin Kola, do të ketë surprizë me ndonjë emër tjetër po nga emrat e shquar bardheblu, apo stoli do t’i besohet ndonjë ish-lojtari të shquar të viteve të fundit, teksa Klodian Duro mbetet si një mundësi, kjo mbetet ende për t’u zbuluar në festën që do të zhvillohet në orët në vazhdim .

Gentian Muça ishte titullar dhe me shiritin e kapitenit në krah, në derbin që Tirana fitoi 1-2 përballë Partizanit, zbuloi detaje mbi profilin e trajnerit të ardhshëm të bardhebluve.

“Ishte shumë e bukur të riktheheshim te fitorja pas shumë kohësh dhe jemi shumë të kënaqur. Na kanë mohuar fitoren dy herë në minutat e fundit dhe sot ua kthyem reston”, tha Muça, duke folur fillimisht mbi emocionet që u dhuroi fitorja.

Tirana fitoi sot me një trajner provizor, Emanuel Egbo, ndërsa Gentja Muça shton se ai vetë nuk dëshiron të jetë trajner i parë, pasi e ka punën e tij si trajner portierësh.

Gentjan Muça tha se trajneri i ri do të jetë “një njeri që e njeh mirë ambientin dhe që do të na ndihmojë të rikthehemi te suksesi”.

Presidenti Refik Halili e ka zgjedhur atë, dhe pritet nesër të arrijë marrëveshjen, për ta zyrtarizuar të hënën në klubin bardheblu./NOA.al