Transmetuar më 13-12-2019, 21:52

“Na ka rënë një hall i madh por nuk është fundi i botës, tërmete ndodhin kudo”.

Kështu u shpreh kreu i LZHK-së, Dashamir Shehi.

“Do t’i dalim për zot me mundësitë që kemi. Si tërmeti në mëngjes që i heq tullat shtëpive të shqiptarëve, ky (kryeministri) i heq tullat shtetit shqiptar”.

Dashamir Shehi akuzon kryeministrin se nuk e ka ndaluar axhendën e vet të korrupsionit, akaparimin e shtetit dhe "përdhunimin" e institucioneve.

Sipas tij, atë që Rama e konsideron sakricë për këtë situatë, po e ndërmerr në kurriz të qytetarëve.

Shehi: Do paguajmë rrogat, pensionet është normale. Por pasi po u kërkon sakrificë institucioneve dhe është normale, e vetmja që nuk ndryshon dhe se nuk u ka rënë tërmeti PPP-ve”, tha Shehi në RTV Ora.

“Faturat e PPP-ve për vitin që vjen do të jetë më e madhe se e tërmetit”.

“Pse nuk merr përsipër që një pjesë e PPP-ve, nuk e zgjidhin këtë punë këto, por ka prej atyre që janë haptazi vjedhje, ka prej atyre që mund të rinegociohen pagesat, ka prej atyre që mund të hiqen fare”.

“Nuk ka ndërprerë asnjë nga vjedhjet që shkojnë te grushti i tij dhe i kërkon sakrifica maksimale financiare punëtorit të thjeshtë, mësuesit që ka 6 vjet nuk i rritet rroga. Në emër të kësaj që i ra Shqipërisë do të bllokojë çdo gjë tjetër”, theksoi Shehi.

Ai tha se Buxheti 2020 do të përqendrohet te paketa e rindërtimit nga tërmeti.

Qeveria ka parashikuar një fond  prej 20 miliardë lekë, nga të cilat 13 miliardë do të financohen nga buxheti i brendshëm dhe 7 miliardë nga donatorët.

Ndërkohë Komisioni Europian ka njoftuar mbajtjen e konferencës së donatorëve në fund të janarit të vitit që vjen, për kreun  e LZHK-së gjithë procesi ka nisur mbrapsht pasi ende nuk kemi një faturë të dëmeve nga tërmeti.

“Sa do të jetë fatura do të dalë. Të dalë fatura dhe të fillojnë të bëjnë hesapet. Ndërtuesit janë turrur. Të shikojmë kush janë prioritetet, ka shtëpi dhe pallate që fare mirë mund të riparohen. Ideja se do bëhen dy lagje apo një, nuk është në dorë të kryeministrit. Nuk ndërton ky sulltanatin e vet, por shteti shqiptar ndërton shtëpi për shtetasit shqiptarë që janë dëmtuar dhe sipas ligjeve duhen zhdëmtuar”, tha Shehi. “Kjo bëhet në një shtet europian, ndoshta nga Arabia mund ta bëjnë ndryshe. Pasi të zgjidhim emergjencat duhet të hapë konkursin për mënyrën  e rindërtimit, do bëhen shtëpi individuale, me fshatra, do ndërhyjmë te urbanistika apo do riparojmë aty ku ishte. Planin zhvillimor kemi kohë ta bëjmë dhe duhet bërë me qetësi dhe seriozitet.

I ftuar sot në RTV Ora, Shehi po aq të rëndësishme e konsideroi edhe garantimin e sigurisë fizike të veprave publike./NOA.al