Transmetuar më 13-12-2019, 20:59

Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, Agjencioni për Mbrojtjen e Mjedisit të Kosovës tha se luani, që është duke u mbajtur i mbyllur në një kafaz në Stanaj të Gjilanit, rezulton të jetë i kontabanduar.

Aktualisht “mbreti i pyllit” është duke u trajtuar nga institucioni në koordinim me institucionet tjera shtetërore.

Me iniciativën e AMMK-së është formuar grupi punues ndërinstitucional, ku krahas përfaqësuesve nga Ministria e Mjedisit janë përfshirë edhe përfaqësues nga Agjencioni i Veterinës dhe Ushqimit – AVUK dhe nga Organizata Pylli i Arinjve.

“Qëllimi i formimit të këtij grupi punues është mbledhja e informatave relevante dhe shqyrtimi i bazës ligjore kombëtare dhe ndërkombëtare që rregullon mbajtjen dhe internimin e kafshëve të egra të mbrojtura. Grupi punues është duke e analizuar rastin në fjalë por meqenëse sipas zyrtarëve doganor kjo çështje ka kaluar në Prokurori, atëherë do të merret për bazë edhe opinioni i prokurorisë”, thuhet në njoftim.

“Përndryshe lloji i luanit (Panthera leo) është kafshë e huaj për territorin e Kosovës, por është i mbrojtur me ligje kombëtare dhe ndërkombëtare, andaj çdo përpjekje për mbajtjen e tij duhet kaluar nëpër procedura ligjore dhe çdo shmangie eventuale e këtyre procedurave, sanksionohet sipas legjislacionit në fuqi”, thuhet në njoftimin lidhur me rastin në fjalë./NOA.al