Transmetuar më 13-12-2019, 20:45

Pas ngjarjes së rëndë ndodhur mbrëmjen e sotme në një fshat anës aksit rrugor Elbasan-Peqin, ku një person mbeti i vrarë dhe një tjetër i plagosur, hetimet e para mbi autorët e ngjarjes, janë fokusuar te një ngjarje tjetër e rëndë e ndodhur një vit më parë.

Në atentatin e mbrëmjes së sotme është qëlluar drejt një makine ndaj dy personave, ku si pasojë 23-vjeçari Andi Zylyfi ka humbur jetën, ndërsa i plagosur dhe në gjendje të rëndë ka mbetur shoku i tij, Ardit Uruçi.

Babi i 23 vjeçarit Hysni Zylyfi ka qenë një ish polic në burgun e Peqinit, por është përjashtuar si pistë hetimi ndonjë hakmarrje për shkak të detyrës.

Dy të rinjtë kanë qenë duke pirë kafe në një lokal në fshatin Përparim dhe në momenti që kanë dalë jashtë ata janë qëlluar me breshëri armësh nga një mjet tip BMW X5.

I riu 23 vjeçar që humbi jetën është dërguar në spital nga daja dhe xhaxhai i tij, por ka ndërruar jetë në sallën e operacionit.

Raportohet se 23-vjeçari ka lidhje familjare me dy personat shqiptarë të cilët mbetën të vrarë në një atentat në Bradashesh të Elbasanit, një vit më parë, kur në atë atentat humbën jetën Endrit Alibej 34-vjeç, Arben Dylgjeri 56 vjeç, si dhe shtetas turk, Erdal Duranay.

Në Peqin kanë mbërritur forca të shumta policie, në kërkim të autorëve të dyshuar, të cilët besohet se janë identifikuar. Policia lidhur me ngjarjen ka shoqëruar deri mbi 10 persona./NOA.al