Transmetuar më 13-12-2019, 14:41

Ish deputeti i Partisë Demokratike, Edi Paloka ka reaguar lidhur me vendimin e kryeministrit për të emëruar Arben Ahmetajn në postin e ministrit për Rindërtim. Përmes një postimi në rrjetin e tij social Facebook Paloka e ka cilësuar emërimin e Ahmetaj, si treguesin më të qartë se ky kryeministër kërkon ta vjedhë popullin edhe në kulmin e fatkeqësisë.

“Emërimi i Ahmetajt , treguesi më i qartë se ky kryeministër kërkon ta vjedhë këtë popull edhe në kulmin e fatkeqësisë! E kam thënë disa herë këto ditë; gjithnjë në situata të vështira e të jashtëzakonshme nxjerrin kokën spekullantë që përfitojnë nga fatkeqësia. Kryesisht ata janë pazarxhinj pa shpirt që kur shohin që ka nevojë të shtuar për diçka menjëherë rrisin çmimet dhe pazarin! Fatkeqësia jonë është se si kryespekullant kemi kryeministrin që i lë në hije ata që vjedhin qeset e ndihmave apo rrisin qeratë e shtëpive për hallexhinjtë…”, shkruan Ahmetaj.

Më tej ai shton se deri tani Rama ka spekulluar politikisht, duke u përpjekur që nëpërmjet propagandës së përditshme, minimalisht ti shpëtojë përgjegjësisë direkte për këtë fatkeqësi dhe viktimat që solli.

“Sot, Rama vërtetoi se i është “hapur zorra” dhe spekullimin nuk ka ndërmend ta lërë vetëm në rrafshin politik. E mbani mend; një nga thirrjet e para që bëri Rama ishte për të ndaluar sjelljen e ndihmave materiale dhe ofrimin e mjeteve monetare, parave, megjithëse njerëzit ishin në nevojë (janë dhe sot) për ushqime dhe mjete të tjera. Caktimi i Ahmetajt si personi që do të menaxhonte ndihmat financiare, ngjalli menjëherë reagim jo vetëm nga opozita. Ahmetaj është nga ish-ministrat më të akuzuar për korrupsion në një qeveri dhe administratë që vetëm pak ditë më parë u shpall nga organizmat ndërkombëtare si një nga qeveritë më të korruptuara në botë”, shton Paloka.

Por kjo sipas Palokës jo vetëm nuk e frenon Ramën po përkundrazi si në çdo rast tjetër, është kriter për ta emëruar Ahmetajn prapë ministër që do të menaxhojë paratë e ndihmave. E kjo ndodh pikërisht ditën që BE vendos për zhvillimin e konferencës së donatorëve.

“Në këtë moment , ky kryeministër që e ka çuar vendin drejt rrënimit të gjithanshëm; politik, ekonomik e social po kërkon ta grabisë dhe në kulmin e tragjedisë. Shikimi i tij në këto momente nuk shkon tek njerzit në fatkeqësi por tek milionat që shpreson të marrë nga bota, jo që ti përdor për shqiptarët, por si një mundësi tjetër për të vjedhur.

Emërimi i Ahmetajt është prova e nuk ka nevojë për të tjera. Uroj që donatorët( siç kanë bërë deri më sot që nuk i kanë besuar qeverisë) të kontrollojnë vetë e ti vënë ndihmat në funksion të shqiptarëve e mos i lënë në dorë të grabitqarëve. Mëkatet e kësaj qeverie me shqiptarët janë boll të rënda, mos i lejoni ta bëjnë dhe këtë.”, përfundon Paloka.

Kryeministri Edi Rama i propozoi sot Presidentit Meta, dekretimin e Arben Ahmetajt si ministër i Shtetit për Rindërtimin, Ministri e cila shtohet pas situatës së krijuar nga tërmeti shkatërrimtar i 26 nëntorit. Menjëherë pas publikimit të lajmit në media, Presidenca konfirmoi vullnetin për të dekretuar z.Ahmetaj në këtë post./b.l/noa.al/