Transmetuar më 13-12-2019, 14:06

Është miratuar në Komision e Ekonomisë, projektligji i fiskalizimit, i cili më pas do t’i kalojë për shqyrtim dhe miratim Kuvendit.

Ky projektligj i ri synon monitorimin në kohë reale të gjitha shitjeve dhe blerjeve të biznesit me konsumatorin, biznesin dhe shtetin, dhe vjen si një masë për të ulur informalitetin. Ky sistem do të bazohet në aplikacione te reja dhe fut në përdorim faturën elektronike.

Ndryshe nga sa ishte paralajmëruar se ligji do të hynte në fuqi në janar të vitit 2020, afati i fiskalizimit është shtyrë sërish, kësaj radhe nga deputetët e Kuvendit, që kanë vendosur datën 1 shtator 2020 si pikënisjen e sistemit të ri.

Zbatimi do të jetë gradual, ndërsa për biznesin e vogël premtohet aksesi në sistem falas. Deputetët e opozitës votuan kundër projektligjit, me argumentin se paratë mund të përdoren për rindërtimin pas tërmetit.

Ndërkohë, nga 1 korriku 2021 do të fiskalizohen edhe pagesat pa para në dorë nëpërmjet bizneseve. Deputetët e opozitës votuan kundër këtij projektligji me argumentin se këto para mund të shpenzohen për rindërtimin pas tërmetit të 26 nëntorit./b.l/noa.al/