Transmetuar më 12-12-2019, 23:08

Një tërmet i fuqishëm dhe me pasoja katastrofike goditi vendin më 26 Nëntor.

Tërmeti shkaktoi 51 të vdekur dhe qindra të plagosur, ndersa edhe shumë dëme materiale, kryesisht në Durrës dhe në Thumanë.

Presidenti francez, Emanuel Macron shprehu sot në deklaratën e tij, në hapje të Këshillit Europian, solidaritetin me popullin shqiptar.

Macron tha se Bashkimi Europian do të ofrojë politikë ndihme dhe se do të organizojë një konferencë ndërkombëtare donatorësh në dhjetor ose në janar.

“Ne do të diskutojmë gjithashtu për atë që ndodhi në Shqipëri. Dëshiroj t’i dërgoj nga këtu një mesazh solidariteti popullit shqiptar. Shpresoj që ne si europianë të marrim përsipër përgjegjësitë tona për të pasur një politikë ndihme dhe të mund të organizojmë një konferencë ndërkombëtare donatorësh tani në dhjetor ose në janar për t’iu gjendur pranë shqiptarëve”, deklaroi ai në fjalën e tij në kuadër të hapjes së Këshillit Europian.

Macron tha se duhet të japim ndihmën tonë për të rindërtuar Shqipërinë.

“Pati dhjetëra të vdekur dhe mijëra persona që humbën edhe banesat e tyre dhe ndodhen tashmë në një situatë të vështirë, kështu që duhet t’u ofrojmë solidaritetin tonë këtyre familjeve, por edhe të japim ndihmën tonë për të rindërtuar Shqipërinë”, tha ai./a.k/noa.al/