Transmetuar më 12-12-2019, 21:28

Pronarët e bizneseve që ndodhen në katet e para të pallateve të vjetra dhe ndërtuesit e pallateve të reja të dëmtuara janë angazhuar për të riparuar dëmet që la pas tërmeti i 26 nëntorit.

Ndërtuesit në Durrës dhe individë që kanë përshtatur shtëpitë e banimit në biznese duke dëmtuar kolonat dhe muret mbajtëse, i tremben burgut dhe kanë pranuar të kryejnë riparimet e dëmeve të shkaktuara nga tërmeti në objektet e ndërtuara prej tyre. Këtë e pranuan edhe në një takim me autoritetet lokale.

Kryetari në detyrë i Bashkisë së Durrësit, Zhulien Varfaj, zhvilloi dje një takim me një përfaqësi të ndërtuesve që kanë ndërtuar ndër vite në qytetin bregdetar. Mësohet se gjatë diskutimeve, të pranishmit në këtë mbledhje me Zhulien Varfajn, kanë marrë përsipër riparimin e dëmeve në pallatet e ndërtuara prej tyre, shkruan "Panorama".

Në këtë takim ishin të pranishëm një numër relativisht i ulët në raport me ndërtuesit që janë në Durrës. Por, një pjesë e ndërtuesve ose kanë ndërruar jetë, ose kanë shpallur falimentimin, ndërkohë që disa prej tyre janë larguar nga Shqipëria për të jetuar në vende të ndryshme të Europës.