Transmetuar më 12-12-2019, 19:14

Ish-kryetarja e Bashkisë së Prrenjasit, Miranda Rira, përmes disa dokumenteve denoncoi sot një rast të pastër korruptiv, sipas saj, kryer me vetëdije nga pasardhësi socialist në detyrë.

Ajo pretendon se pas urdhrit të kryeministrit Rama dhe shkresës së Ministrisë së Financave për të anuluar menjëherë nënshkrimin e kontratave si edhe anulimin e procedurave të reja të prokurimit, pasi paratë do t’i shkojnë familjeve në nevojë (atyre që humbën shtëpitë ose të afërmit e tyre, bashkia e Prrenjasit ka bërë të kundërtën.

Madje ajo pretendon se krybashkiaku aktual Nuri Belba ka falsifikuar dokumentet dhe datat, që të mos i anulohet kontrata e nënshkruar.

"Kap çfarë të kapësh, (KÇK), ja sesi operon "Kryetari i komanduar" i bashkisë Prrenjas", nis reagimin e saj Miranda Rira.

Reagimi i plotë i Miranda Rirës:

Pas tërmetit fatkeq të 26 Nëntorit, Ministria e Financave ju dërgon një shkresë gjithë bashkive të vendit, ku thuhet se për shkak të gjendjes së fatkeqësisë natyrore, autoritetet kontraktore, pra Kryetarët e bashkive duhet të anullojnë menjëherë nënshkrimin e kontratave si edhe anullimin e procedurave të reja të prokurimit, pasi paratë do t’i shkojnë familjeve në nevojë (atyre që humbën shtëpitë ose të afërmit e tyre)!

Kjo gjë nuk i bën fare përshtypje "kryetarit pa votë dhe pa zgjedhje", i cili duket hapur se nuk respekton urdhrin e ministres së financave!

Duke përdorur një nga juristet e tij për dallaveret e shkresave, ai/ajo madje ndërhyn në protokoll dhe në datën 3.12.2019 , pra pasi kishte dale urdhri ministres së financave, lidh kontratë të re, dhe vazhdon procedura të tjera prokurimi ! Kjo kuptohet ,është kryer edhe me këshillat e "N/Kryetarit de facto" të bashkisë, i cili ndan pazaret me kryetarin duke patur edhe eksperiencë nga këshilli bashkiak! "Kap çfarë të kapësh është kjo o Nure, se do ketë zgjedhje të reja nga Marsi"- i thotē këshilltari!

Jam e sigurtë që jo vetëm Thesari por edhe Kontrolli i Lartë i Shtetit apo instanca të tjera ligjzbatuese, do të jenë dëshmitarë dhe dënues të këtyre shkeljeve.

Kjo është vetëm maja e ajsbergut, teksa shkeljet ligjore janë të shumta dhe ne do t’i bëjmë transparente në ditët në vazhdim!

Prandaj, shoku Edi Rama, mos i kërko shumë thellë këta të KÇK, sepse ata i keni shumë hapur, në krye të bashkive të marra me dhunë dhe me zgjedhje të tipit monist! Sidomos këta që keni emeruar tani, këta janë avanguardë të KÇK, se e dine që nuk shtyhet më kështu e populli kërkon zgjedhje të reja.

Prandaj o burra, kap ç’të kapësh!!