Transmetuar më 12-12-2019, 18:12

Në javën e tretë pas tërmetit, banorët e zonës së plazhit në Durrës kanë nisur të tregojnë arsyen përse pallatet e tyre janë sot të pabanueshëm apo të rrezikuar.

“Kur është bërë ky pallati ishte 8+1, tani është bërë 12. Është ndërtuar në vitin 2014 dhe avancoi për 1 vit, se është 3D-ja”, tha një banor. Për këto veprime, i referohet kompanisë së kryetarit të asaj kohe të Bashkisë së Durrësit, Vangjush Dako.

Basha theksoi se përgjegjësia është vetëm e shtetit, duke theksuar se Vangjush Dako duhet të përfundojë në burg për këto veprime.

“Përgjegjësia fillon me ata që kanë përgjegjësi për ndërtimet dhe licensimin e ndërtimeve, që është shteti. Këtu në Durrës kemi edhe një veçori se në 99% të pallateve, ai që ka firmosur për këto leje, ka sjellë edhe betonin, në konflikt interesi, Vangjush Dako. Pasi mbaron gjithçka, kolaudohet dhe prapë pushteti vendor, bashkia, ka për detyrë të kolaudojë që gjithçka është bërë në rregull. Përgjegjësia fillon dhe mbaron me shtetin. Ç’është ajo shprehje “do t’i bëj unë letrat”. Çfarë letrash do të bëjë ai? Ai duhet të shkojë në burg për këto gjëra”, tha kryetari i PD, Lulzim Basha.

Ndërsa banorët janë shprehur të revoltuar ndaj qeverisë dhe bashkisë pasi konsiderojnë se janë braktisur.

“Banesa ime është e pabanueshme, por askush nuk ka ardhur prej 10 ditësh të na thotë çfarë të bëjmë”, tha një grua e moshuar.

Të njëjtin shqetësim e kishin edhe banorë të tjerë, të cilët treguan se në minibashki i kanë nxjerrë jashtë pa u dhënë asnjë përgijgje çfarë do të bëhet me ta.

“Kërkojmë të na thonë të hyjmë a të dalim. Shkova në minibashki dhe nuk na përfillën fare”- u shpreh një banore tjetër./noa.al/