Transmetuar më 12-12-2019, 12:02

Zëdhënësi i Presidentit Ilir Meta, Tedi Blushi, i pyetur nga gazetarët në lidhje me pretendimin e Ardian Dvoranit se, nëse ai do të merrej i pandehur nga Prokuroria, atëherë kjo do të sillte bllokimin e funksionimit të KED-së, dha sqarimin e tij.

Blushi thotë se kjo është një alibi e neveritshme për t’i shpëtuar drejtësisë për veprat penale që Ardian Dvorani ka konsumuar dhe për të cilat është kallëzuar penalisht në Prokurori.

Ai thotë se ligji nr. 115/2016, për funksionimin e Këshillit të Emërimeve në Drejtësi e ka zgjidhur shumë mirë këtë situatë në nenin 227 të tij, ku parashikon se “Anëtari më i vjetër në moshë nga Gjykata Kushtetuese është Zëvendëskryetari i KED-së dhe se zëvendëskryetari ushtron të gjitha funksionet e kryetarit në mungesë ose pamundësi të këtij të fundit”.

“Nuk është përgjegjësia penale e Ardian Dvoranit, që mund të bllokojë funksionimin normal të KED, por u bllokua qëllimisht funksionimi i KED për dy vite radhazi, që në krye të këtij organi të vihej Ardian Dvorani, për të konsumuar të tilla shkelje të rënda kushtetuese dhe ligjore”, thotë Blushi.

Ai shton se edhe mbledhja e djeshme e KED-së, e zhvilluar duke njoftuar dy rende dite të ndryshme, një të njoftuar publikisht dhe një të ndryshëm të njoftuar anëtarëve dhe pjesëmarrësve në Këshill, është një tjetër e dhënë e papërgjeshmërisë së këtij individi , përkundrejt zbatimit të parimit të transoarencës së ushtrimit të detyrës ashtu sic kushtetuta dhe ligji ia kërkon.

Kallëzimi i Presidentit ndaj kryetarit të KED, u bë lidhur me ngërçin në Gjykatën Kushtetuese, pasi për të njëjtin vend Parlamenti votoi të propozuarën e Këshillit të Emërimeve në Drejtësi, Arta Vorpsin, ndërsa Presidenti dekretoi Marsida Xhaferllarin.

Presidenti e bën Dvoranin si përgjegjës për situatën në Gjykatën Kushtetuese. Meta e akuzon Dvoranin se i ka dërguar Presidentit dy herë qëllimisht në të njëjtën ditë listat e kandidatëve për dy vende vakante, gjatë përzgjedhjes së anëtarëve të Kushtetueses. /a.y/noa.al

Dvorani thumbon Metën nga Prokuroria: Të lërë filmat serialë! Hetimi nuk zhvillohet në media