Transmetuar më 12-12-2019, 10:28

Ekspertët izraelit ndodhen ditën e sotme në Durrës ku po inspektojnë ndertesat e dëmtuara nga tërmeti i 26 nëntorit i cili la pas 51 viktima, qindra të plagosur dhe mijëra persona pa strehë.

Koloneli izraelit, Golan Vach, ndodhet këtë paradite në një objekt të dëmtuar, ndërsa tregoi live se si duhet izoluar dhe përforcuar muri i brendshëm i këtij apartamenti, ndërsa tha se nuk ka asnjë problem në strukturë dhe se ai mund të jetonte në të bashkë me fëmijët e tij. Ai këshilloi qytetarët që të përdorin shkumë, për të mbyllur hapësirën mes tullave.

“Unë mund të vij të jetoj në këtë apartament bashkë me fëmijët e mi. Kur themi që apartamenti është i sigurt, është i sigurt. Kur themi që do riparohet, do riparohet. Kur themi që duhet hedhur në tokë, duhet hedhur në tokë. Duhet të themi që këto kolona këtu janë pjesa më e rëndësishme e objektit, ndërtesa bazohet mbi kolona dhe trarë. Janë të plota, të padëmtuara, objekti është i qëndrueshëm, solid.

I kanë vendosur tullat gabim, në një pjesë të madhe të objekteve që kemi inspektuar. Qytetarët duhet të përdorin shkumën për të siguruar apartamentet e tyre. Kjo e bën tullën më stabël. Është e rëndësishme për të mbyllur hapësirën mes tullave, nëse ka”, tha koloneli.

Më herët ishte Presidenti Ilir Meta ai që publikoi disa fotografi nga takimi me këta ekspertë duke u shprehur falenderues për ndihmën dhe mësimin që ata na kanë dhënë. “Kënaqësi e veçantë të bisedoja mbrëmë në Durrës me ekipin e mrekullueshëm izraelit që ka bërë një punë të shkëlqyer gjithë këto ditë në ndihmë të institucioneve tona dhe komuniteteve të prekura rëndë nga pasojat e tërmetit tragjik”, shkruante Meta./b.l/noa.al/