Transmetuar më 11-12-2019, 23:12

Sivjet janë shënuar plot 75 vite që nga momenti i çlirimit të Shqipërisë nga pushtuesit nazi-fashist.

E për këtë Soiree në Top Channel me Jonida Shehun kishte mbledhur veteranët e luftës, të cilët sot janë mbi 90 vjeç, për të treguar disa detaje nga lufta dhe si kanë mundur që t’ju shpëtojnë plumbave të luftës.

Një ndër ta ishte edhe Sevo Tarifa, gjyshi i Eneda Tarifës, i cili një pjesë të madhe të jetës së tij ia ka dedikuar çlirimit të vendit.

Ai ka treguar një rast kur një plumb ka zënë në një gur dhe pikërisht ajo copë e gurit ka bërë që ta gjakoste në fytyrë edhe të binte përtokë.

“Lufta qe 10 orë. Në pozicion qëndrova për rreth 3 orë në një mur që kishte edhe hardhi atje me rrush të papjekur. Unë kisha etje për ujë, por nuk preka një kokërr pasi partizanët nuk ngacmonin nga pasuria e popullit. Ashtu i etur siç isha, duke luftuar me gurë përpara, plumbi zuri në gur dhe më gjakosi mua copa e gurit në fytyrë. Unë bërtita dhe rash përtokë. Dëgjon një partizan Xhevo Ahmetaj, i cili ishte nga fshati im dhe vjen atje më fshin gjakun me hardhinë. Aty e pashë që nuk jam vrarë dhe nuk isha plagosur”, ka treguar Sevo Tarifa.