Transmetuar më 11-12-2019, 18:59

E ngarkuara me punë e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Tiranë, Leyla Moses Ones nuk i ka mbajtur lotët teksa Kryeministri Rama fliste për viktimat e tërmetit të dy javëvë më parë.

Diplomatët ishin thirrur në pritjen e fundvitit në Pallatin e Brigadave, ku ndryshe nga herët e tjera, Kryeministri e përqëndroi fjalimin e vet te fatkeqësia natyrore.

Duke i falenderuar të gjithë për solidaritetin, Rama veçoi mesazhin që ka marrë nga Leyla Moses Ones, për të cilin tha se do ia lexoja djalit të tij Zaho kur ai të pyesë për Shtetet e Bashkuara.

"Nuk kam ndërmend t’i publikoj ndonjëherë mesazhet tuaja që vijnë në telefonin tim dhe as i ruaj në ndonjë aktiv, por mesazhin e Lejlës e kam nxjerrë në një folder të veçantë dhe kur im bir sot 5 vjeç, Zaho, të rritet dhe pak e të bëjë pyetjen e parë për SHBA unë do t’i lexoj atë mesazh për ta prezantuar si shqiptarë me Amerikën.

Ashtu sikundër nëse, kur im bir do inatoset me BE, kush nuk inatoset me BE, unë do t’i tregoj historinë e zbarkimit të trupave të kërkim-shpëtimit mbrëmjen e 26 nëntorit dhe heroizmat e atyre burrave e grave veshur me uniforma që vunë në rrezik jetën e tyre për të shpëtuar jetë shqiptarësh.

Do jetë shumë më e lehtë hyrja në histori me fqinjët, duke ia nisur jo nga ngatërresat politike, por nga rrëfimi i nxjerrjes prej gërmadhave pas thuajse 24 orësh të një djali shqiptar nga trupat fantastike greke të kërkim-shpëtimit, apo rrëfimi i një beteje të përbashkët të trupave nga Serbia e Kosova për të shkëputur nga kthetrat e vdekjes të shqiptarëve. Ishte e gjitha një mrekulli. Dhe kalorësit italianë, krahas atyre turq, që rrethuan gërmadhat e kthyera nga kështjella të vdekjes dhe nxorën prej aty jetë shqiptare.

Për vëllezërit dhe motrat nga Kosova me çfarë fjalësh mund të përshkruhen gjithçka u reflektua në operacionet. Asnjë fjalë nuk e përshkruan dot atë që sytë e mi e kanë shkruar në kujtesë. Në ato orë të pafundme, Franca që kujtoja se e kisha parë mjaftueshëm për t’i admiruar madhështinë dhe bukurinë, deri kur legjenarët e kërkim-shpëtimit u shfaqën në Durrës, me shkëlqim dhe zhdërvjelltësi mahnitëse.

Po skuadrën izraelite që aq shumë kurajo iu dha qytetarëve të Durrësit si ta tregosh aq thjeshtësisht dhe lehtësisht. Dukej sikur përballeshin me një furtunë shiu në verë", tha Rama. /k.k/noa.al/