Transmetuar më 11-12-2019, 17:21

Familja Gjergo është nga familjet që prej disa vitesh jetonin në ambientet e konviktit 15 në Qytetin Studenti, e cila është akomoduar në një apartament të ri pranë shkollës “1 maji”, në zonën e “Ali Demit” në Njësinë 2.

Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj vizitoi shtëpinë e familjes së Pëllumb Gjergos, ku theksoi se kushtet e jetesës janë shumë herë më të mira në krahasim me ato që ofronte një godinë që ishte ndërtuar për studentët dhe jo për ambient familjar.

Ai deklaroi se të gjitha familjet që janë zhvendosur nga godina 15, por edhe dy godinat e tjera që gjithashtu janë konsideruar të pabanueshme, do të strehohen në shtëpi me qira.

“Edhe për pjesën tjetër do vazhdojmë me të njëjtin trajtim, pra nëse do u japim të gjithëve apartamente, do vazhdojmë të njëjtin trajtim edhe për ju që erdhët nga konviktet, sepse duhet zgjidhur njëherë e mirë. Çështja është që ne i besojmë më shumë këtyre legjendave urbane se sa i besojmë shtetit. Pra, dëgjoj histori që njerëzit i sajojnë më shumë për të mbajtur veten me gajret sesa të bazuar në një fakte, kurse ajo që është fakt dhe u bë realitet është: u aprovuan qiratë, ja ku jemi me qiratë! Nesër do aprovojmë apartamentet, do jemi në një apartament që o do blihet o do rindërtohet”, shtoi Veliaj.

Veliaj informoi familjen Gjergo se tashmë për të gjitha familjet që do të zhvendosen nga godinat e Qytet Studentit apo ato që i janë dëmtuar shtëpitë në zonën e Kinsostudios do të ndërtohet një lagje krejtësisht e re në zonën e Shkozës.

“Ne kemi konceptuar sesi këtu te “Autotraktorët” të bëjmë një lagje të re. E gjithë zona e atyre që dalin pa banesa në Kinostudio, në Qytetin Studenti, është edhe pika më e afërt. Ai është një vend ideal që kryeministri e ka me shumë merak që të gjejmë edhe një arkitekt ndërkombëtar dhe që njerëzit të mos thonë po shkojmë në një geto, por një gjë që është bërë me shije, me planimetri, me infrastrukturë. Atje kalon Unaza e madhe, pra aty është edhe rrethrrotullimi i Unazës. Nuk është e largët dita kur njerëzit do luten të shkojnë te këto lagjet e reja. Për të gjitha këto arsye, them që bëmë një vendim të mirë, dua të të falenderoj shumë për bashkëpunimin”, u shpreh Veliaj.