Transmetuar më 11-12-2019, 17:12

Një ndër vendet ku gjenden peshkaqenët e bardhë, është rezerva natyrore në ishullin e Guadalupe në Meksikë. Në këtë vend natyra është fantastike dhe çdo vit me mijëra turistë zbresin në fund të oqeanit brenda kafazeve të hekurta, në mënyrë që të shohin habitatin nën ujor.

Por fatkeqësisht jo çdo zhytje shkon mirë, pasi disa javë më parë një peshkaqen e pësoi duke u përplasur me kafazin e hekurt, brenda të cilit ndodheshin tre zhytës.

Aktivisti Islas Allende teksa publikon një video në rrjetet sociale denoncon shfrytëzimin që iu bëhet peshkaqenëve dhe specieve të rralla nën ujore.

Sipas aktivistit peshkaqeni qëndroi me kokën e bllokuar mes hekurave për 25 minuta, teksa askush nuk tentonte që ta lironte.

Skena në fjalë ndodhi në kafazin e anijes ‘Nautílus’, në pronësi të Mike Lever, një sipërmarrës kanadez i turizmit, i cili nuk ka respektuar rregulloren që ka hyrë në fuqi në vitin 2017. Në këtë rregullore kërkohet që të përdoren kafazë më rezistente dhe me ndarje më të ngushta, por sërish ndryshimet nuk janë bërë. /a.y/noa.al