Transmetuar më 11-12-2019, 16:52

Presidenti Ilir Meta priti sot në një takim ministrin Jashtëm të Italisë, Luigi Di Maio, i cili ndodhet në një vizitë zyrtare në vendin tonë.

Kreu i shtetit shprehu mirënjohjen për ndihmën e menjëhershme të dhënë nga Italia në operacionet e kërkim-shpëtimit pas tërmetit të 26 nëntorit 2019 që goditi vendin tonë, si dhe kërkoi asistencën italiane edhe për rindërtimin dhe rehabilitimin e zonave të prekura.

Presidenti vlerësoi gjithashtu mbështetjen e vazhdueshme që Italia i ka dhënë Shqipërisë ndër vite në proceset e integrimit euro-atlantik.

“Për rajonin, nuk ka alternativë tjetër veç integrimit në Bashkimin Europian, ndaj e vlerësojmë mbështetjen e plotë të Italisë për këtë objektiv madhor”, u shpreh kreu i shtetit.

Presidenti Meta vlerësoi faktin se Italia mbetet një nga partnerët kryesorë tregtarë të Shqipërisë. “Gjithsesi, ne presim një prani më të madhe në sektorë strategjikë të investitorëve kryesorë italianë në Shqipëri, duke shprehur njëkohësisht gatishmërinë për të promovuar praninë e investimeve të mëdha italiane në Shqipëri”, tha Meta.

Urë e fuqishme bashkëpunimi ndërmjet vendeve tona, nënvizoi Presidenti, janë edhe komuniteti arbëresh dhe emigracioni shqiptar në Itali. /a.y/noa.al