Transmetuar më 11-12-2019, 14:30

Pas deklaratës së kreut të Këshillit të Emërimeve në Drejtësi, Ardian Dvorani i cili kërkoi që të jetë Prokuroria ajo që të merret me hetimet dhe Presidenti të lërë filmat serialë, vjen reagimi i zëdhënësit të Presidentit Tedi Blushi.

Ai thotë se nga një dhunues me dashje i Kushtetutës dhe i ligjit, i mirëdokumentuar, i provuar dhe përsëritës në shkeljen e tyre, nuk pritet asnjë reflektim publik.

“Ne do të vazhdojmë të bashkëpunojmë me organin e akuzës për të vendosur drejtësinë në vend.

Ky proces do të jetë i hapur dhe transparent për opinionin publik vendas dhe ndërkombëtar, për të ndaluar kapjen totale të institucioneve të drejtësisë, përmes kapjes së Gjykatës Kushtetuese, institucionit më të rëndësishëm që garanton funksionimin e shtetit të së drejtës në Republikën e Shqipërisë”, thotë Blushi.

Ky qëndrim vjen pasi tre orë pas marrjes në pyetje në organin e akuzës ditën e sotme, Dvorani tha se, hetimi nuk zhvillohet në media dhe televizion, ndaj kërkoi që “të lihen produktet artisiike dhe filmat seriale me metrazh të shkurtër”, ndërsa kërkoi që institucionet të shkojnë në rrugë institucionale.

Kallëzimi i Presidentit ndaj kryetarit të KED, u bë disa javë më parë lidhur me ngërçin në Gjykatën Kushtetuese, pasi për të njëjtin vend Parlamenti votoi të propozuarën e Këshillit të Emërimeve në Drejtësi, Arta Vorpsin, ndërsa Presidenti dekretoi Marsida Xhaferllarin.

Presidenti e bën Dvoranin si përgjegjës për situatën në Gjykatën Kushtetuese. Meta e akuzon Dvoranin se i ka dërguar Presidentit dy herë qëllimisht në të njëjtën ditë listat e kandidatëve për dy vende vakante, gjatë përzgjedhjes së anëtarëve të Kushtetueses. /a.y/noa.al

Dvorani thumbon Metën nga Prokuroria: Të lërë filmat serialë! Hetimi nuk zhvillohet në media