Transmetuar më 11-12-2019, 13:10

Lëkundjet e tërmetit të 26 nëntorit zgjuan njerëzit nga gjumi. Frika, nxori jashtë shtëpive mes mijëra shqiptarëve edhe Xhesika Biqikun. Teksa dilte, në terr tullat e pallatit goditën në kokë 20 vjeçaren. Jeta e parë e humbur nga tërmeti në Tiranë.

“Unë u pengova kur e kisha përdore dhe rashë te balta, shpirti im ishte këtu… e mora gërthita”, thotë babai i Xhesikës. Jemi brenda pallatit ku jetonte Xhesika Biqiku. Në faqet e murit shkruhet Xhesika, Xhesika, por edhe shkronjat do shemben në këtë pallat të pabanueshëm. Porta 22 hapet nga Ilija, që përpiqet të ruajë fort kujtimet e mbetura nga vajza e tij.

“Këtu kam një fotografi të Xhesit ja ta shikoni… ka dalë para ca kohësh. Këtu është Sabina , ndërsa këtu Xhesika, ishte 18 vjeç këtu. Të dyja vajzat i mbaj këtu . Xhesika është më e vogla, ndërsa Sabina më e madhja.. në mars të 2000.. mezi i kam rritur”, thotë ai.

Ilija ishte shumë i lidhur me Xhesin, vajzën e vogël. Në çdo çast brenda shtëpisë i vijnë në mend momentet e tmerrit. “Unë flija këtu, Xhesi ja te divani tjetër. Të dy dolëm të parët….(qan)”,tregon ai më tej.

Pas tërmetit të shtatorit, ka shkruar për punët e zotit. O zot na mbro nga tërmetet… sikur e kishte ndjerë… sikur e kishte ndjerë vdekjen”.

Dy femrat e tjera të shtëpisë po kurohen në spital. Ndërsa i vetëm, Ilija trazon kujtesën me kohën kur e bija ishte në shtëpi. E gjërat e saj i ka paketuar për t’i marr në banesën e re ku familja Biqiku do të jetojë, pa Xhesikën./tch/