Transmetuar më 11-12-2019, 12:55

Ministrja e Mbrojtjes Olta Xhaçka ka mbajtur një deklaratë të përbashkët për shtyp me zëvendës asistenten e sekretarit të Mbrojtje së SHBA-së për Rusinë, Ukrainë dhe Euroazinë, zonjën Laura Cooper.

Të pranishëm ishin edhe Ministrat e Mbrojtjes të Kartës së Adriatikut A-5, me të cilët Xhaçka nënshkroi një deklaratë zyrtare për të miratuar në parim propozimin e Shqipërisë për një mision të përbashkët në Irak në vitin 2020.

“Ju jam mirënjohëse kolegëve që një pjesë e mirë e diskutimeve mes nesh ju dedikuan situatës së vështirë që po kalon Shqipëria pas tërmetit tragjik të 26 nëntorit. Pata rastin t’ju shpreh atyre edhe personalisht falënderimet për të gjithë ndihmën e mbështetjen që na ofruan që në çastet e para që pasuan atë tragjedi. Dhe jam e lumtur, që kjo situatë, shërbeu për të rritur gatishmërinë për të eksploruar të gjithë bashkë mënyra të tjera për të thelluar bashkëpunimin dhe për të përdorur në një mënyrë sa me efikase kapacitetet tona të përbashkëta për të përballuar fatkeqësitë natyrore”, u shpreh Xhaçka.

Më tej ajo shtoi se, “Ne mbetemi të vendosur, për të punuar në vijimësi për promovimin e “Politikës së Dyerve të Hapura” për çdo vend të rajonit,  i cili aspiron dhe përmbush kriteret për të qenë pjesë e Kartës së Adriatikut. Pata rastin t’iu garantojë kolegëve të mi, se Shqipëria, në favor të kësaj politike, do të vazhdojë të  mbështesë  pa kushte pranimin e Kosovës me  statusin e vendit anëtar në iniciativë.  Shpreh kënaqësinë time, që Ministrat e Mbrojtjes ranë parimisht dakord me propozimin e Ministrisë së Mbrojtjes së Shqipërisë për të kontribuar me një mision të përbashkët në Irak në kuadër të NATO-s, mision në të cilin  Shqipëria do të mbajë rolin e vendit drejtues”.

Nga ana e tyre Ministrat e Mbrojtjes të Kartës së Adriatikut A-5 mësohet se janë shprehur: Qëndrojmë pranë popullit shqiptar në këto çaste të vështira pas tërmetit. Angazhohemi të ndërtojmë kapacitete të përbashkëta ndaj fatkeqësive natyrore. Mbështesim anëtarësimin e gjithë vendeve të Evropës Juglindore në strukturat Euro-Atlantike.

Të koordinohemi dhe ndajmë informacionin për të mbrojtur paqen, sigurinë dhe stabilitetin. Miratojmë në parim propozimin e Shqipërisë për një mision të përbashkët në Irak në vitin 2020”./b.l/noa.al/