Transmetuar më 11-12-2019, 12:20

“Ku vajti ai i ziu?” Kështu tha Kryeministri Edi Rama në një takim që pati mesditën e sotme me banorët e prekur nga tërmeti në Laç.

Rama foli me një banor, pjestar i komunitetit rom, i cili i tha se jeton me qera, banesa i është dëmtuar dhe më tej kërkoi strehimin e nënës së moshuar, por pak më vonë ai u largua.

“Këtu janë të bardhë, unë jam tek i ziu” i tha banori, duke kërkuar që të dëgjohet.

Rama ia ktheu, “Ti je si shpirt! Hajde ulu afër meje. Ti i bardhi largohu se kemi këtë të ziun këtu”.

Në vijim të bisedës me banorët e tjerë, njëri prej tyre i dha çelësat e hotelit për të strehuar banorët e prekur nga tërmeti.

Në këtë moment kreu i qeverisë kërkoi banorin e komunitetetit rom, por me etiketim racist: “Ku është ai i ziu? Merre çelësin për plakën 80 vjeçe dhe çoje në dhomë”.

Sidomos nga organizatat në mbrojtje të njerëzve, ky etiketim për banorin mund të cilësohet racist ndaj tij dhe për më tepër kur një klasifikim i tillë bëhet nga kreu i qeverisë, i cili është i pari që duhet të respektojë të drejtat e qytetarëve dhe ca më pak të bëjë klasifikime në bazë të ngjyrës së lëkurës, qoftë dhe për batutë. /a.y/noa.al